Kurti në panairin ‘Swissbau’: Jemi popull që e duam shtëpinë tonë

Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij në hapjen e ‘showroom’-it të kompanive kosovare në panairin ndërkombëtar të produkteve të përpunimit të drurit ‘Swisbau’ në Cyrih, ka thënë se shqiptarët janë popull të vatrës dhe që e duan shumë shtëpinë e tyre.

Në këtë panair po marrin pjesë edhe 12 kompani nga Kosova me prodhimet e tyre, e për të cilat Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë e ka siguruar hapësirën ekspozuese në këtë panair për këto kompani vendore.

“Sot paradite ishim në Reçak ku kujtuam 25 vjetorin e masakrës atje, e cila tronditi opinionin ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore dhe lëvizi NATO-n për ta ndërprerë gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Pra, një çerek shekulli më herët ishim nën kthetrat e Serbisë gjenocidale dhe tash 25 vjet më vonë, ne, jemi këtu në Cyrih, duke treguar se Kosova është storie suksesi e intervenimit të NATO-s, e kombinimit mes zhvillimit ekonomik me progres demokratik dhe njëkohësisht e një sektori privat i cili po lulëzon jo vetëm në Kosovë, por edhe në Zvicër, në Skandinavi, SHBA, e kudo në Evropë, e gjithnjë pa harruar e duke e kujtuar Kosovën, prej nga vijmë të gjithë ne”, ka theksuar Kurti gjatë adresimit para të pranishmëve.

Ai tutje ka thënë se mbase nuk është e rastësishme që një ndër organizatat kryesore të rilindjes kombëtare është quajtur ‘Vatra’.

“Ne si popull, jemi popull të shtëpisë tonë, që e duam shumë. Jemi popull të vatrës, të vatrës që na e sjell ngrohjen e këndshme në shtëpitë tona. Dhe është shumë interesante pikërisht në sektorin e mobileve, në sektorin e shtëpive dhe atë të përpunimit të drurit eksporti është duke u zhvilluar në mënyrë marramendëse. E kjo ka të bëjë edhe me vet kulturën, historinë dhe traditën e popullit tonë. Prandaj, para një çerek shekulli pati dështuar plani i Serbisë, që duke na vrarë, dëbuar, burgosur e duke na djegur 120 mijë shtëpi ta bëjë Kosovën ta pabanueshme”, ka shtuar Kurti.

Por, ai theksoi se populli i Kosovës dëshmoi se sa shumë e donë vatrën e vet, kur në qershor të vitit 1999 të gjithë refugjatët u rikthyen dhe të gjitha shtëpitë u rindërtuan.

“Madje u rindërtuan shumë më tepër shtëpi se sa ishin shkatërruar. Kjo tregon sa e rëndësishme është shtëpia dhe vatra për popullin tonë, ndërtimi dhe mirëmbajtja e saj. Mbase ky ‘showroom’ është një shprehje moderne e kësaj tradite dhe kulture të popullit tonë”, ka nënvizuar i pari i ekzekutivit kosovar.

Ai ka thënë se prezantimi i prodhimeve kosovare në këtë panair është një mundësi e mirë që ato të depërtojnë në tregun ndërkombëtar.

“Në Kosovë ekziston një kompani, e cila e merr drurin si lëndë të parë nga Austria dhe eksporton kuzhina në Zvicër. E Austria e Zvicra janë vende fqinje. Pra, hallka e mesme e industrisë, ku lënda e parë është në Austri e tregu është në Zvicrës, ndodhet në Kosovë. Kjo tregon çfarë shpirti sipërmarrës kemi ne, por edhe për kushtet e favorshme që mund të krijohen në Kosovë për të bërë prodhimtari e për të bërë përpunim”, ka thënë Kurti.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës është ndryshe kur dëgjohet për një produkt, e të thonë të tjerët është i bukur, i mirë e i rehatshëm, e ndryshe edhe kur e sheh në një katalog të marketingut, por sipas tij “asgjë nuk e zëvendëson m e pamjen e produktit drejtpërsëdrejti dhe duke e provuar se çfarë ndjenje krijon ai produkt”.

“Urojmë që produktet të ekspozohen sa më shumë dhe ky panair të jetë tjetër arsye që të rritet substancialisht eksporti, prodhimi e punësimi, e si rezultat edhe prosperiteti në vendin tonë”, ka përfunduar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *