Ka nisur alokimi i mjeteve financiare tek qytetarët për subvencionimin e izolimit të shtëpive. Janë mbi 1 mijë qytetarë që kanë përfunduar punimet në shtëpitë e tyre, derisa jo të gjithë i kanë marrë paratë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Ndërkaq, Fondi është në proces të alokimit për ata që i kanë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.
Përkundër faktit që gratë kanë pasur përparësi në këtë program subvencionimi, numri i atyre qe kanë aplikuar është vetëm 2 për qind krahas numrit të përgjithshëm.
Kështu bënë të ditur Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Konjuhi thekson se marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit, ndërsa shton se çdo ditë alokojnë paratë në llogari të qytetarëve përfitues.
Pavarësisht se ka ende kohë për t’i kryer punimet, Konjuhi shprehet se gjysma e qytetarëve në kohë kanë përfunduar ato.
“Tashmë është përmbyllur i tërë procesi i vlerësimit të aplikimeve. Fondi ka pranuar gjithsej 3 mijë e 321 aplikime, ku rreth 1010 janë aplikime të cilat janë pa raportin e auditorit dhe janë në listë të pritjes, ndërsa nga aplikimet e tjera janë lëshuar 2 mijë e 150 letra të para aprovimit.”- thekson ai.
Pothuajse gjysma e qytetarëve kanë përfunduar punimet. Të gjithë qytetarët që kanë marrë letrat e para aprovimit kanë gjashtë muaj kohë prej kur kanë pranuar letrat, kështu ende është herët”, tregon Konjuhi.
Megjithatë, ajo tregon se ka raste që qytetarët po thërrasin Fondin ende pa kryer punimet, për çfarë bënë thirrje përfitueseve që mos të lajmërojnë pa përfunduar në tërësi punimet sepse vonohet procesi.
Përkundër faktit që gratë kishin përparësi të subvencionohen me 5 për qind plus, vetëm 2 për qind e totalit ishin përfituese gra, shkruan Gazeta Neutral.
“Gratë janë subvencionuar me një 5 për qind plus, por përkundër këtij fakti, numri i tyre të cilët kanë aplikuar si pronare të shtëpive është i vogël, vetëm rreth 2 për qind të totalit të cilët kanë përfituar”, thekson Konjuhi.
Kujtojmë se, me qëllim të kursimit më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka mbështetur programin për subvencionimin e termoizolimit të mureve të jashtme, termoizolimit të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5.500 euro.