Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me rastin e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, ditë më parë derisa ka provuar të hyjë në Serbi përmes pikës kufitare në Merdar.
Sipas njoftimit, kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd e ka vizituar Dakajn në qendrën e Paraburgimit në Beograd ku ai po mbahet dhe është konfirmuar se ai po akuzohet nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Nga MPJ kanë njoftuar se Dakaj ka treguar se s’ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit, ndërkohë që i është lejuar të kontaktojë familjen e tij në telefon.
Njoftimi i plotë:
Njoftim mbi rastin e arrestimit të z. Hasan Dakaj në Serbi
Në lidhje me rastin e arrestimit të qytetarit të Republikës së Kosovë, z. Hasan Dakaj, në Serbi, ju njoftojmë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi që nga dita e parë e arrestimit të z. Dakaj ka qenë e angazhuar në këtë rast dhe sot pas miratimit të kërkesës nga autoritetet serbe, ambasadori Jashari ka vizituar qytetarin Hasan Dakaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës të Beogradit, ku z. Dakaj është duke u mbajtur.
Më 6 Janar 2024, në ora 16:00, z. Dakaj ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake, ku i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, respektivisht, deri më 3 Shkurt 2024.