Janë bërë dy muaj që nga momenti tragjik kur profesori Ferhat Bejtullahi, mbrëmjen e 2 dhjetori u shkel nga një veturë, shkruan Gazeta Neutral.
Momenti tragjik, ndodhi në rrugën “Bill Klinton”, afër vendit të tij të punës një shofer i papërgjegjshëm e shtypi me veturë.
Bejtullahu vdiq pak orë më vonë nga plagët e marra nga ky aksident.
Kryesi i veprës rastisi të jetë Vullnet Gashi, djali i biznesmenit të fuqishëm, Burim Gashi.
Gashi, sot e asaj dite nuk vuajti asnjë natë në burg. është i lirë që nga nata kur kreu krimin.
Biznesmeni, Burim Gashi është i njohur për lidhjet e tij të fuqishme me politikën e me grupe të forta të interesit.
Burimet e Gazetës Neutral, bëjnë të ditur se Gashi ka lidhje të fuqishme me ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezin.
Gashi, i cili është pronar i firmës “Agro Llapi”, në të kaluarën ka përfituar një varg benefitesh nga fondet publike.
Përvec Lumezit, shtrirja e rrjetit të gjerë të Gashit, shkon edhe më tej.
Biznesmeni multimilionësh, sipas burimeve të Gazetës Neutral, ka lidhje të forta edhe ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.
Çka ka deklaruar Policia për rastin tragjik?
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, bënte me dije se këmbësori ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ishte dërguar për tretman mjekësor.
“Rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësori dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, thuhej tutje në konfirmim.
Një ditë më pas, Policia përmes raportit 24 orësh konfirmoi se viktima, në këtë rast profesori Bejtullahu kishte ndërruar jetë në QKUK. Ndërsa, Gashi ishte liruar në procedurë të rregullt.
“I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin e tij dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima pasi ka arritur në QKUK, duke mos i përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhej në raport.