Mbrëmjen e së shtunës, në Bielefeld të Gjermanisë u vra boksieri nga Kosova, Besar Nimani.
Ngjarja bëri bujë të madhe në mediat gjermane dhe jo vetëm.
Një artikull rastit i ka kushtuar edhe gazeta e njohur gjermane Focus.
Në shkrimin e kësaj gazete bëhet e ditur se motivi i këtij konflikti ka të bëjë për motive, por pa e bërë të ditur saktësisht edhe arsyen e këtij konflikti.
Focus raporton se rasti nuk lidhet me klane kriminale.
Që nga e shtuna autoritetet kanë nisur një operacion të madh për t’i kapur personat e dyshuar.
Siç tregon kjo gazetë Besar Nimani, ishte plagosur në vitin 2013-të pas një konflikti, transmeton Klankosova.tv
Focus zbardh dosjen penale të Nimanit:
Gazeta e njohur gjermane, Focus, ka bërë publike edhe dosjen e tanimë të ndjerit, 38-vjeçarit Besar Nimani.
Ish-boksieri profesionist nuk ishte i njohur veç si sportist me dhjetëra tituj por thuhet se kishte edhe një dosje të pasur.
Babai i tre fëmijëve, përfshihej shpesh edhe në konflikte me ligjin dhe shoqërohej edhe me njerëz të botës së krimit.
Sipas gazetës, Besar Nimani, kishte prirje edhe për shpërthime të dhunshme.
Në vitin 2012, gjykata e qarkut në Bielefeld e dënoi kosovarin me 1 mijë e 350 euro gjobë, për goditjen e një njeriu në kokë.
Pas një viti, kosovari ishte i përfshirë në një konflikt në një lokal të dynerave.
Më 4 gusht 2013, Nimani dhe njerëzit e tij u përplasën me një sigurim turk dhe klikën e tij. Më parë kishte pasur një mosmarrëveshje mes dy palëve.
Pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, ai e goditi në kokë me një gotë birre rivalin e tij turk.
Atij iu gjetën armë: A ishte ndjerë i kërcënuar?
Gazeta e përshkruan tutje konfliktin e ndodhur në vitin 2013-të.
Sipas përshkrimit, sigurimi turk e kishte nxjerrë pistoletën dhe e kishte qëlluar Nimanin me dy plumba, në gju dhe në kofshë.
Gjatë gjykimit në këtë rast, ish boksieri profesionist e kishte kundërshtuar ashpër procesin, pasi që i pandehuri ishte gati të lirohej nga akuza për vrasje.
Në shkurtin e vitit 2016-të, forcat policore të armatosur rëndë shkuan tek shtëpia e boksierit.
Focus shkruan se gruaja e Nimanit kishte telefonuar sepse burri e kishte rrahur, i dyshuari ishte arrestuar pa rezistencë.
Sipas portalit Westfalen-Blatt, boksierit iu gjetën gjysmë duzine armë zjarri në bagazhin e tij gjatë një kontrolli policor në Bavari vitin e kaluar.
Në atë kohë, burri rreth të tridhjetave u mbrojt para hetuesve duke thënë se i duheshin armët për të mbrojtur familjen e tij.
A është ndjerë i kërcënuar Nimani? Apo thjesht po përpiqej të arsyetohej, shkruan Focus Online.
Prokurori publik nuk ka dashur t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me këtë çështje. Ky proces gjyqësor pushoi me vdekjen e Nimanit.