Një ish-ushtare britanike ka thënë se donte t’i jepte fund jetës për shkak se ishte përballë me abuzime seksuale, ngacmime e mizogjini gjatë kohës sa ishte në ushtri. 50-vjeçarja, Gemma Morgan, që tash jeton në Hertfordshire të Anglisë, iu bashkua Ushtrisë më 1996 në moshën 22-vjeçare. Morgan ka shërbyer edhe në Kosovë.
Duke folur në “ITV” të hënën, Gemma ka treguar se si puna në ushtri e ka bërë që ta mendonte vetëvrasjen. Ajo ka thënë se në ushtri ka ekzistuar kultura e abuzimit seksual dhe se “kjo ishte krejt normale”.
“Po që se hyje, kjo pjesë vinte me punën dhe natyrisht që s’ishte e sigurt të kërkoje ndihmë ose të ankoheshe sepse sistemi do të të kthehej në agresor. Andaj njerëzit s’ankoheshin sepse në fund dilte se ‘është faji yt, ju ishit në vend të gabuar e ju po pini shumë’”, ka thënë ajo.
Më 2007, Gemma pati qëndruar në një klinikë psikiatrike për dy muaj si rezultat i përvojave me të cilat ishte përballur.
“E turpëruar dhe në faj… Më shpiu të mendoja t’i jepja fund jetës”, ka shpjeguar ajo.
Gemma ka thënë se e ka dashur shumë profesionin kur pati nisur punën. Megjithatë, sipas saj, shpejt kaloi koha dhe gjithçka u përmbys. Gemma, që tani është folëse e njohur, në të kaluarën pati përshkruar edhe raste kur i ka ndodhur që të zgjohej për të gjetur burra afër saj.
Më pas, ajo u bart në Kosovë, si pjesë e ekipit me mision për të zhdukurit. Sipas saj, kjo ishte “pika e kthesës” për të në ushtri. Ajo ka treguar se përvoja e ka traumatizuar dhe mungesa e përkrahjes ia shtoi stresin.
“U ktheva shumë e traumatizuar. Kisha simptomat e çrregullimit të stresit post-traumatik”, ka thënë ajo.
Gemma, që është e martuar dhe ka tre fëmijë, ka shkruar në librin biografik për përvojën e saj në Ushtri. Libri do të publikohet të premten.