Federata e Golfit e Kosovës pranohet në EGA

Drejtori sportiv i Federatës së Golfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu, është ndarë shumë i kënaqur me pranimin në Federatën Evropiane të Golfit, në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur më 18 nëntor në Londër. U bë anëtarja e 50-të në Federatën Evropiane të Golfit.

Zylfiu të enjten ka thënë në konferencën për shtyp se anëtarësimi në Federatën Evropiane të Golfit është bërë me përkrahjen e shteteve të shumta.

Kundër ishin vetëm Bosnjë-Hercegovina dhe Spanja që votuan kundër, ndërsa kundërshtim pati edhe nga Serbia.

“Shprehim keqardhje sepse delegacioni i Serbisë nuk kishte ardhur në Asamblenë e Përgjithshme që u mbajt në Londër si shkak proteste, pasi ishte për herë të parë aty delegacioni ynë. Kjo nuk ishte pritur mirë nga ta. Vërtet është për keqardhje. Sporti i golfit është, siç njihet në zhargonin tonë, një sport për zotërinj dhe e ka një kod të zotërinjve, ku çdokush me çdokënd përshëndetet dhe respektohet në fushat e golfit”, ka thënë Zylfiu.

Synim i Federatës së Golfit të Kosovës është anëtarësimi në Federatën Botërore të Golfit (IGF) dhe në Klubin Mbretëror të Vjetër në Skoci (R&A).

Këto anëtarësime pritet të bëhen deri në shtator të vitit të ardhshëm.

Federata e Golfit e Kosovës është themeluar më 17 tetor të vitit 2018.

Ndërkohë më 30 shtator u mbajt Kampionati i Katërt shtetëror ku morën pjesë 63 nga 72 lojtarë të kësaj federate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *