Ballkani i Hapur “zhgënjeu” Shqipërinë, shpresat te Procesi i Berlinit

Shqipëria përfitoi pak nga Ballkani i Hapur, të paktën në një drejtim, atë të ekonomisë. Në mbi tri vite bashkëpunimin rajonal me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendi mbajti pozicion të brishtë në tregtinë e jashtme, duke madje thelluar deficitin tregtar.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e viteve 2020-2022, periudhë kohore ku retorika për Ballkanin e Hapur ishte në kulm të saj, Shqipëria importoi gati 886 mijë tonë mallra nga Serbia dhe eksportoi më pak se 567 mijë tonë.


Me bilanc edhe më negativ rezulton tregtia e jashtme me Maqedoninë e Veriut. Kompanitë shqiptare blenë nga vendi fqinj mbi 735 mijë tonë marra dhe shitën vetëm 179 mijë tonë, duke regjistruar kështu një deficit tregtar në gati 567 mijë tonë.

“Kjo pasi Serbia kishte shumë subvencione për produktet e prodhuara aty. Po ashtu Maqedonia e Veriut subvenciononte në masën 2.24 për qind të Prodhimit të brendshëm Bruto. Dihej që në krye të herës që avantazhi i tyre do të ishte disavantazhi ynë, ndaj edhe nuk funksionoi”, thotë për A2 CNN Klodian Muço, pedagog i ekonomisë.

“Ballkani i Hapur” rezultoi më pozitiv për Shqipërinë në drejtim të investimeve të huaja. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun e viteve 2020-2022 vendi siguroi 3.34 miliardë euro investime të huaja, shifër kjo 2-fish më e lartë se ajo që arriti Maqedonia e Veriut, por 3.5 herë më e ulët se Serbia. (grafik 3) Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se këto shifra mund të rriten ndjeshëm nën ndikimin tashmë të Procesit të Berlinit, “i ringjallur” nga kancelari gjerman, Olaf Sholz.

“Procesi i Berlinit përcakton rregulla më konkrete loje. Përcakton bashkëpunim të plotë Rajonal dhe jo të fragmentarizuar. Procesi i Berlinit funksionon me rregullat e Bashkimit Europian dhe minimalisht garanton konkurrencën. Besoj se kompanitë dhe ekonomia shqiptare do të përfitojë në disa drejtime”, thotë Muço.

Tirana do të jetë mikpritëse e Samitit të Procesit Berlinit në tetor, për herën e parë që nga viti 2014 që kur nisma u pagëzua nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *