Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, ka publikuar fotografinë e një personi që dyshohet të jetë i përfshirë në një rast të vjedhjes në Rahovec dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët.
Sipas Policisë, i dyshuari ka vjedhur paratë e bamirësisë në një barnatore në qytetin e Rahovecit, transmeton Sinjali.
“Me datën 30.03.2024, në Stacionin Policor në Rahovec është raportuar rasti i vjedhjes së një kutie qelqi me para të destinuara për bamirësi, në një barnatore në qytetin e Rahovecit. Policia menjëherë ka filluar me veprime hetimore, me ç’rast edhe janë siguruar fotografi të personit të dyshuar.
Deri më tani nuk është arritur të bëhet identifikimi i tij, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore.
Andaj, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët: kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen eventuale të të dyshuarit të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës, stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë)” – thuhet në njoftim.