Sikur Joe Biden të mos ishte president i Amerikës, do të kishte të ngjarë që ai të dëshmonte në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë. Në fakt, për këtë ka folur edhe avokati i Thaçit, Gregory Keohe.
Ai ka bërë të ditur se ka shumë personalitete të rëndësishme që pritet të japin dëshmi. Keohe nuk ka treguar emra, por bazuar në parashtrimet kohë më parë, aty pritet të jenë Bernard Kouchner, Wesley Clark, William Walker e Daan Everts.
“Nuk jam i sigurt për Joe Biden, epo ai është i zënë tani kështu që nuk e di. Më lini të ju them se do të sjellim dëshmitarë që asokohe ishin në terren e që ishin në Kosovë më 1998 dhe 1999, që kanë përvoja me presidentin dhe dijeni se çfarë ka ngjarë jo vetëm gjatë 98’ës e 99’ës por historikisht dekada më parë me serbët, pra fokusi do të jetë tek njerëzit që kanë qenë atje, kanë njohuri të bazuara”, tha avokati Keohe për Nacionalen dhe disa media të tjera nga Haga.
Por, sa dëshmitarë do t’i ketë mbrojtja?
“Kam një listë me dëshmitarë por jo listë me shifër se sa janë. Është vështirë të them, disa nga dëshmitarët që do të thërrasim do t’i thërrasim në emër të gjithë ekipeve. Për shembull ekspertë ushtarakë, nuk ka nevojë që të kemi 4 ekspertë ushtarak, do të përshtatemi me njëri-tjetrin dhe do të vijmë në një përfundim se sa ekspertë ushtarak na duhen për të ardhur në sallë të gjyqit për të dëshmuar, mbase edhe vetëm 1, shembull. Nuk mund t’ju jap një numër”, tha më tutje ai.
Avokati Keohe kritikoi faktin që shumica e seancave po zhvillohen të mbyllura.
“Epo qëndrimi im, i klientit tim në fakt, është se të gjitha seancat duhet të jenë të hapura, ne nuk jemi idhtarë të seancave private apo të mbyllura, ne duam që të gjitha të publikohen, mendoj se ajo për çka e ka pasur fjalën gjyqtari Smith është një zgjidhje apo zgjidhje e pjesshme sepse ai ka rishikuar transkriptet dhe ka parë nga seancat private çfarë ka qenë e nevojshme të redaktohet e çfarë jo, por ju jeni gazetarë që raportoni në baza ditore dhe nëse nuk jeni duke shkruar ndonjë përmbledhje historike të asaj se çfarë po ndodhë, vështirë se dikush do të kthehet mbrapa dhe ti lexojë gjithë transkriptet, sepse është e vështirë sidomos kur raporton për një ngjarje sot për sot apo për një ditë më parë”, deklaroi avokati.
Në fund ai pati edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës.
“Ne po luftojmë për klientët tanë çdo ditë, po merremi me mbrojtjen çdo ditë, mbrojtja jonë është e fuqishme dhe besojmë se në fund fare klientët tanë do të lirohen dhe të kthehen në shtëpi. Do të donim që kjo të ndodhte më parë se sa mund realisht të ndodhë por nuk kam gisht në afatet kohore”, përfundoi ai.