Cilat janë kërkesat e sindikatës së re të KEK-ut?

I ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull” ishte Nexhat Llumnica nga Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ai ka thënë se punëtorët e KEK-ut kanë shprehur kërkesat e tyre për ngritje të pagave, duke theksuar se ato nuk janë rritur që nga viti 2018.

“Kërkesat për ngritje të pagave që në fakt nga viti 2018 e tutje punëtorët e KEK-ut nuk kanë pasur ndonjë ngritje. Sukseset e kompanisë vetëm vitin 2022 i kemi pasur mbi 100 milionë euro profit dhe ai profit apo sukses nuk është ndarë me punëtorët, pra që është një diçka jo e mirë për punëtorë dhe humb vullneti për punë”, ka thënë Llumnica.

Tutje, ai ka theksuar se ka ndryshuar tregu i punës, pasi “fuqia punëtore mungon dhe për punë të njëjtë në sektorin privat paguhen shumë më shumë sesa në KEK”.

Llumnica theksoi se interesimi i qytetarëve të punojnë në KEK është mjaft i vogël.

“KEK-u nuk ka qenë dhe nuk ka mbetur një vend atraktiv i punës. Ne kemi pasur edhe konkurset e fundit që ka qenë një konkurencë shumë e vogël, për të mos thënë se s’ka qenë fare konkurencë. Ne kemi pasur rastin për saldues ku është paraqitur kërkesa për 33 saldues të pranohen dhe janë pranuar vetëm 16 prej tyre, sepse paga është e ulët”, tha ai.

Nëse nuk rriten pagat, sipas tij, KEK-u do të ketë probleme me punëtor.

“Tash kanë filluar ta lirojnë vendin e punës, janë disa inxhinierë që kanë liruar vendin e punës dhe janë disa ekspertë tjerë të cilët nuk dojnë me qenë më në KEK. Realisht, ata janë duke pritur shumë prej nesh që të bëjmë një presion të vazhdueshëm për ngritjen e pagave, përndryshe deri në fundvit nëse nuk do të ketë ngritje të pagave, atëherë do të mbesim shumë keq për punëtor dhe kjo do të ishte shumë më e keqe për KEK-un se Kosova varet prej kësaj dhe energjia mund të jetë destabilizuese në rast se nuk prodhohet”, ka përfunduar Llumnica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *