Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë që të vazhdojnë aksionin në veri, pasi sipas tij, depo armësh të ardhura nga Serbia ka edhe në pjesë të tjera.
Ai ka deklaruar në emisionin “SOT” të KTV-së të mërkurën se Serbia është përgatitur tash e një kohë për sulmin e së dielës (24 shtator) “për të krijuar rrëmujë dhe të shkëpusë pjesën veriore”.
“Policia duhet të vazhdojë aksionin edhe në pjesë të tjera sepse jam i bindur që ka edhe shumë depo e armë të tjera që kanë ardhura nga Serbia, edhe më të rënda, sepse ata kanë qenë të përgatitur, aksioni ka pasur qëllim të ngrehë popullatën në këmbë të bëjë rrëmujë dhe të shkëpusë atë pjesë të Kosovës”, ka shtuar ai.
Sipas Kastratit, që nga paslufta Serbia është përgatitur e është armatosur në vazhdimësi për të nxitur urrejtje e konflikt. Ai ka thënë se sulmi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku ishte terrorist dhe i përgatitur nga Beogradi.
“Sulmi është përgatitur dhe gatuar në Beograd, pa miratimin e Serbisë e të Vuçiqi atje s’kanë mundur këta terroristë të kenë mbështetjen edhe logjistike edhe armatimin. Dje pamë një arsenal armatimi që për një tog që ka qenë atje, kanë qenë të pajisur mirë. Një kohë të gjatë e kane përgatitur këtë sulm. Kosova e tregoi veten që ka një polici profesionale, që është e gatshme t’i kryejë detyrimet e veta bazuar në ligjet dhe rregulloret…Kosova po tregon se ka përparuar në mënyrë të shpejtë dhe sot jemi zotë të vetvetes që t’i kryejmë detyrimet që dalin. Në aspektin e sigurisë, Kosova është vend i sigurt. Me bindje e them se me largimin e bandave e terroristëve sepse s’janë vetëm këta që kanë ikur”, është shprehur tutje ish-komandanti i FSK-së.
Ai ka theksuar se një numër i sulmuesve ka arritur të ikën nga veriu dhe të drejtohet kah Serbia, derisa ka thënë se sipas informacioneve të tij, edhe një serb ka vdekur në spitalin e Novi Pazarit e 5 janë të plagosur rëndë.
“Radojiçiqi është plagosur. Edhe Radojçiqi besoj se ka qenë prezent në ato grupe, pasi të gjithë këta serbë dhe liderët e Listës Serbe janë pjesë të këtij akti terrorist. Edhe Kurti tash e ka një qasje ndryshe sepse Serbia si shtet fqinj ka dëshmuar në këtë këto dëshmi se ka qenë Serbia e involvuar në sulm terrorist ndaj Kosovës. Pres faktorin ndërkombëtar të jetë i ashpër, pasi e dimë që Serbisë i ka krijuar favore…Ky akt e tregoi fytyrën e vërtetë të Serbisë”, është shprehur Kastrati.
Ish-kreu i FSK-së ka potencuar tutje se çdo grup i huaj që futet në territorin e Kosovës dhe ka pretendime armiqësore duhet të cilësohet “grup terrorist me aktivitet terrorist”.
Kastrati është shprehur tutje se sulmi në veri është kryer me direktiva të Rusisë.
“Direktiva i është dhënë disa muaj më parë kur Vulini e Dodiku kanë qenë në Moskë. Ai (Aleksandar Vulin, shef i BIA-s) e ka marrë detyrë që të krijohet konflikti në Kosovë. E kemi humbur një polic, një familjar, një baba të fëmijëve, por aktet e tilla mund të kenë qenë me pasoja më të mëdha, por kanë rezultuar me humbjen e një jete…Çdoherë duhet të flijohemi për shtetin e Kosovës pasi e kemi fituar me mund e djersë. Policia, Ushtria e institucionet e sigurisë janë të betuar se do ta flijojnë edhe veten për të mbrojtur shtetin që e kemi”.