Komuna e Prishtinës ende nuk ka marrë aprovimin e Qeverisë për projektin e Unazës së Jashtme të Kryeqytetit. Kostoja e këtij projekti është rreth 350 milionë euro. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar disa herë se kjo shumë Ministrit të Financave po i duket shumë e madhe dhe se për këtë arsye nuk po e jep nënshkrimin. Ndërkohë, Ministri Liburn Aliu ka thënë para dy ditësh se projekti është afër përfundimit, derisa e ka përmendur mundësinë të fillojë të realizohet me segmente.
Mospajtimet mes Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me projektin e Unazës së Jashtme të Kryeqytetit, po vazhdojnë ende. Siç dihet nga prononcimet publike, kryeqytetit duhet t’i jepet një garanci për kredi nga Ministria e Financave dhe pikërisht kjo s’po ndodhë “për shkak të kostos dhe prioriteteve tjera” të qeverisë, siç ka shpjeguar Kryetari Rama së fundmi.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i ka thënë Gazetës Express se nuk u është dhënë ende aprovimi për këtë projekt. Sa i përket projektit, Zogaj ka thënë se është pothuajse i gatshëm.
“Jo, nuk kemi asnjë sinjal nga Qeveria! Nuk është dhënë asnjë aprovim për këtë projekt madhor të vendit. Projekti është në finalizim. Ështe pothuajse i gatshëm”, ka thënë Zogaj.
Për këtë projekt, Zogaj kishte thënë më herët se është autostradë që e rrethon Prishtinën, dhe lidhet me hyrjet kryesore në Kryeqytet.
“Pra, lidhet me hyrjen nga Gjilani, me hyrjen nga Fushe Kosova, me hyrjen nga Mitrovica dhe me hyrjen nga Podujeva! E shkarkon Kryeqytetin nga komunikacioni i panevojshem dhe krijon lidhje te reja me zonat industriale!”, kishte shkruar Zogaj në Facebook.
Projektin e unazës e ka përmendur pardje edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai tha se projekti mund të fillojë të realizohet me segmente.
Sipas Aliut, ky projekt do të shkarkojë trafikun në kryeqytet. Por edhe Aliu ka përmendur marrëveshjet që duhet të bëhen me komunën e Prishtinës.
“Jemi në fazë të projektimit dhe në komunikim me Komunën e Prishtinës për Unazën e Prishtinës. Po mendoj që projekti i Unazës së Prishtinës është para përfundimit, kemi qenë në diskutim si ministri. Kjo mbase do të mund të fillojë të realizohet me segmente. Është çështje e përfundimit të projektit, sigurimit fondeve të huaja dhe marrëveshjeve që bëhen me Komunën e Prishtinës. Projekti i tillë do të jetë i rëndësishëm për shkarkimin e trafikut në kryeqytet”, ka deklaruar Aliu.
Rama ishte ankuar publikisht se Murati nuk po e jep nënshkrimin, që do t’u mundësonte të vazhdonin tutje me procedurat.
“E kemi përfunduar dizajnin e unazës së kryeqytetit. Jemi në pritje të një nënshkrimi qe katër muaj prej ministrit të Financave për me leju me vazhdu në pjesën tjetër. Është një projekt madhor i kryeqytetit i cili është tejet i nevojshëm”, kishte thënë Rama para gjashtë muajsh.
Vlera e këtij projekti është 350 milionë euro, që sipas Ramës, ishte edhe arsyeja pse ministri s’po e jep nënshkrimin.
“Na vyen një firmë e ministrit të Financave, për fat të keq. Nuk po e jep për momentin…ministrit i duket shumë e madhe”, kishte deklaruar Rama në Frontal të T7.
Ndërkohë, para dy ditësh, Rama ka sqaruar se për çfarë po u nevojitet vendosja e firmës nga Murati.
Ai tha se nuk po i kërkon mjetet për këtë projekt nga Qeveria, por vetëm një garancion për të marrë kredi të butë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Unë edhe nuk i kërkoj 300 milionë nga Qeveria. Ne e kemi praktikisht marrëveshje me ERBD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), duhet vetëm një “tick” prej ministrisë për me na leju me marrë këtë kredi të butë. EBRD kërkon garancion të nivelit të lartë qeveritar, edhe vetëm kjo duhet, pra një garancion. Ne e paguajmë si kryeqytet sepse atë mundemi me shtri për 10 vitet e ardhshme, për 15 vitet e ardhshme. Dmth duhet vetëm ai tick për arsye se këtë e kërkon ERBD’ja me na e lëshu këtë fond”, ka deklaruar Rama, duke thënë se Qeveria ka një përgjegjësi ndaj kryeqytetit dhe ss’mund ta trajtojë si një komunë me 1 mijë banorë.
Rama tha se kërkesën për këtë garancion e bënë në secilin takim me Ministrin Murati, por gjithmonë merr përgjigje negative.
“Çdo herë që takohem e kërkoj, por përveç faktit që gjithmonë e kam “jo”, tash e kemi organizuar edhe konferencën për donatorë, ku kemi vendosur që t’I shfrytëzojmë asetet e kryeqytetit me iu ngrit vlerën”, shtoi Rama.
Ish-Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, kishte thënë se do të ishte e lehtë sikur problemi të ishte te vetëm një nënshkrim i Muratit për këto 350 milionë euro.
Mustafa i kishte thënë Gazetës Express se këtij akti duhet t’i paraprijnë projektet dhe bilancet buxhetore të afatizuara dhe të aprovuara nga Qeveria, Kuvendi i Kosovës si dhe Kuvendi i Prishtinës. Pa këto vendime, Mustafa kishte thënë se i gjithë projekti mbetet vetëm “vizatim”.
I pyetur nëse shuma e paraparë për këtë projekt është e lartë, Mustafa kishte thënë se s’mund të flas për këtë, por se projekte të tilla s’mund të përballohen vetëm nga buxheti i kryeqytetit.
“Projektet e mëdha siç është unaza e Prishtinës s’mund të përballohen vetëm nga buxheti i kryeqytetit. Është e natyrshme dhe e nevojshme që të ketë përkrahje nga qeveria qendrore. Nuk mund të flas për shumat, sepse bilacet e investimeve rrjedhin nga projektet që duhet të vlerësohen në rastin konkret edhe me qeverinë e vendit. Do të ishte lehtë sikur problemi të ishte vetëm te ministri i financave, se a e vë ai nënshkrimin për 350 milionë euro. Por, këtij akti duhet ti paraprijnë projektet dhe bilancet buxhetore të afatizuara dhe të aprovuara nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës si dhe Kuvendi i Prishtinës. Pa këto vendime mund të kënaqemi vetëm me vizatime!”, kishte deklaruar Mustafa për Express.