Krejt çka dihet deri tash për arrestimin e Dakajt në Merdare nga shteti serb

Hasan Dakaj i cili ditë më parë u ndalua dhe arrestua në Merdare nga shteti serb tashmë është transferuar në Qendrën Kryesore të Paraburgimit në Beograd ndërsa të martën pritet të ketë seancë dëgjimore ku Prokuroria e Serbisë do të inicojë kërkesën për masën e paraburgimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së.

Kështu njoftoi avokati i familjes Dakaj, Xhevdet Smakiqi, i cili bëri të ditur se prokuroria serbe pretendon se ish-pjesëtari i UÇK-së, gjoja “ka kryer krime lufte si 19 vjeçar”.

Sipas detyrës zyrtare Hasan Dakaj i është caktuar një avokat nga Serbia, ku në intervistimin para prokurorit serb Hasan Dakaj është deklaruar i pafajshëm edhe për faktin se fare nuk ka qenë në ato lokacione sipas dyshimeve të prokurorisë së Serbisë dhe se është ngatërruar në identitet me dikënd tjetër”, ka thënë Smakiqi.

Avokati i familjes tha se ndalimi i Dakajt në atë mënyrë është veçse “ndalim politik”.

Sekretari në Zyrën Ndërlidhje të Kosovës në Beograd, Famit Haxholli, ka dalë po ashtu me një reagim duke e quajtur “kidnapim”, “persekutim” dhe “montim” rastin ndaj Dakajt nga shteti serb.

Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli derisa ka elaboruar edhe në gjerësi se çfarë në fakt bëjnë gjyqet serbe ndaj shqiptarëve.

Në kontekst të së drejtës së aplikuar dhe praktikave ndërkombëtare, statusi i Hasan Dakaj, i Nezir Mehmetit, dhe i kujtdo që ndalohet dhe arrestohet në Serbi, cilësohet si kidnapim”.

Ndaj arrestimit të Dakajt nga shteti serb kanë reaguar edhe krerët shtetëro, ku Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, e quajti “sinjal tepër të rrezikshëm”.

Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Konjufca.

Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka thënë mes tjerash Glauk Konjufca.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në një reagim shkroi se “janë aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional” si dhe që “janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Dakaj dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Dakaj, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Dakaj nga organet serbe”, shtoi MPJD.

Vëllau i Hasan Dakajt, Xhevdet Dakaj i cili u lirua më pas, tha se ishin nisur bashkërisht për Itali kur u arrestuan në Merdare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *