Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe pamundësisë së përpunimit të ujit nga rrjeti i ujërave të zeza, deri tani nuk janë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore apo dëme të tjera materiale.
“Uji kryesisht ka depërtuar në dyshemetë e disa klinikave, por falë masave të menjëhershme, aparaturat mjekësore nuk janë rrezikuar.
“Në lidhje me Klinikën e Pulmologjisë, uji është larguar nga bodrumi dhe aparati i rëntgenit statik është shpëtuar pa u dëmtuar. Ndërkohë, klinika ka në dispozicion një rëntgen mobil dhe përdor rëntgenet e Klinikës së Radiologjisë. Puna vazhdon edhe në klinikat tjera. QKUK ka angazhuar të gjitha kapacitetet teknike dhe stafin shëndetësor të klinikave që nga dita e djeshme për të tejkaluar gjendjen pas reshjeve të shiut,” thuhet në njoftimin e QKUK-së.Sipas tyre, fatmirësisht kjo gjendje është tejkaluar pa dëmtime të aparaturave dhe pa dëme të mëdha materiale.