Komandanti i misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash është takuar sot me ambasadorin italian në Kosovë, Antonio De Riu, në Ambasadën Italiane në Prishtinë, ku kanë diskutuar për situatën e sigurisë.
Në njoftim thuhet se Gjeneralmajor Ulutash ndau pikëpamjet me ambasadorin De Riu mbi tendencat më të fundit të sigurisë dhe përshëndeti kontributin e gjatë të Italisë për KFOR-in dhe për stabilitetin rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, ka thënë ai.
NATO në vazhdimësi përkrahu dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Për shkak të situatës së tensionuar pas sulmit në Banjskë, NATO mori vendim që të rrisë praninë e saj ushtarake, në kuadër të misionit të KFOR.
Ky mision është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX).