Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për vdekjen e katërvjeçares nga Gjakova. Sipas prindërve të saj ajo dyshohet se ishte rrahur nga disa familjarë. E zyrtarisht nuk janë dhënë detaje tjera, përveç njoftimeve se ky rast tashmë ka nisur të hetohet dhe se trupi i pa jetë i fëmijës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
Një rast i rëndë ka ndodhur dje në QKUK. Atje vdiq një vajzë e moshës katërvjeçare, teksa arsyet nuk u bënë të ditura zyrtarisht. Nga policia njoftuan për vdekjen e saj dhe thanë se po hetojnë edhe rrethanat se si ka ardhur deri tek vdekja e vajzës së mitur.
“Rr. Ali Ibra, Gjakovë 17.02.2024-01:45. Më 19.02.2024 nga QKUK është raportuar se pacienti viktima femër kosovare- e mitur e cila ishte duke u trajtuar, ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar, njoftoi policia.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur tashmë hetimet lidhur me rastin e vdekjes së një vajze katërvjeçare në QKUK. Nga kjo Prokurori kanë konfirmuar për Express se tashmë kanë marrë të gjitha veprimet së bashku me policinë për ta ndriçuar rastin.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.
Katërvjeçarja dyshohet se u rrah nga disa familjarë
Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, me ç’rast të bijën, e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.
Por të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.
Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.
‘E morra çikën, filloi të qajë. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’mkallxoi bash mirë. Tu ardh nuk mund të ecte, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo vetëm qante’, ka thënë Hajra për Indeksonline.
Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fund shpinë e ënjtje në gjoks.
Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta, kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.
Pas përkeqësimit të gjendjes, katër vjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK.
Por nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.
‘Në gjysë nate më ka thirr doktoresha me hy në sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kom qëndrua me çikë dhe erdh doktoresha po ma bën, oj zojë nuk e ka prej të rrahurit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh’, ka shtuar ajo.
Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja, kishte shenja të dhunës në trup.
Spitali i Gjakovës: Për rastin e 4-vjeçares pati mbikëqyrje profesionale mjekësore
Spitali “Isa Grezda”, në Gjakovë ka mohuar pretendimet e prindërve të katërvjeçares që vdiq dje, se nuk ka pasur trajtim të duhur mjekësor në këtë spital.
Nga ky spital rajonal kanë thënë se mjekimi i saj u krye me shumë profesionalitet.
“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.
Ata thonë se i kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm autoriteteve që nga pranimi i rastit e deri në referimin e pacientes.
“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në reagim.
Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, PRAK: Neglizhencë dhe sistem shëndetësor i brishtë, rasti të hetohet
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së vajzës 4-vjeçare nga Komuna e Gjakovës. PRAK thekson se nga deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i mirë i rastit thuajse në secilin segment, brenda të cilit mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.
“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara. Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve”, thuhet në reagim.
PRAK thekson më tej se rastet si ky flasin për një pasiguri të sistemit të cilat shkojnë në dëm të pacientëve.
“Të vdes fëmiu brenda ditës dhe të kemi deklarata kontroverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme. Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbuloj dheu!?”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.
KOMF: Të ndërmerren veprime të menjëhershme
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka kërkuar veprime të menjëhershme për trajtimin e rastit të vdekjes së katërvjeçares në Gjakovë, shkruan Gazeta Express.
Ata kanë kërkuar vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore, hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, si dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi.
“Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale. Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale. Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagim.