Ka nisur aksioni protestues i kolektivit “Marshojmë s’festojmë” te Kuvendi i Kosovës në lidhje me reagimet kundër Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor.
“Deputetët/et s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”, “A e prish familjen IVF në spitale private?”, “Shteti laik ku?”, “Kushtetuta, ku?”
Ky kolektiv ka shkruar edhe emrat e deputetëve që po e kundërshtojnë projektligjin: “Duda, ku i ki kufijtë”, “Albena, edhe seksiste edhe raciste”, “Eman, mos rrej!”, “Visar, individët janë gratë”.
Blenda Asllani, anëtare e Kolektivi “Marshojmë S’festojmë” tha se kërkesat e tyre janë që të votohet në kuvend projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor duke mundësuar këtë procedurë për çiftet dhe gratë e beqare.
Kërkesë e tyre është shkarkimi i Duda Baljes nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut dhe sanksionimi i të gjithë deputetëve të cilët brenda kuvendit apo në paraqitje publike përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve të caktuara.
“Sot mbyllëm dyert e Kuvendit të Kosovës me një mesazh të fuqishëm: Deputetët s’kanë mandat për të cenuar trupat tanë! Diskutimi i ditëve të fundit, brenda e jashtë Kuvendit mbi Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor ka qenë dehumanizues ndaj grave të Kosovës. I njëjti, është përcjellë me propagandë edhe me gënjeshtra nga deputetët, për qëllime patriarkale e elektorale. Ne jemi këtu sot, për të demantuar këto gënjeshtra, dhe për t’ua thënë me zë të lartë emrat deputetëve patriarkalë”.
“Eman Rrahmani, Duda Balje, Albena Reshitaj, Visar Korenica e deputetë të tjerë, e gënjyen publikun duke thënë se ky ligj e shkatërron familjen dhe e mundëson incestin. Krejt kjo, përderisa në spitalet private në Kosovë dhe jashtë Kosovës, janë duke u derdhur shuma të mëdha parash, për realizimin e fertilizimit të asistuar mjekësor nga gratë ciftet që kanë nevojë për të. Deputetët tanë diskutojnë për skenare absurde, abstrakte dhe nacionaliste, përderisa grave e çifteve në Kosovë i’u shterën xhepat në spitale private, të pambrojtur. Këta deputetë nuk i konsiderojnë gratë individë me aftësi për të marrë vendime për veten dhe të ardhmen e tyre riprodhuese. Për ta, gratë janë individë me fuqi vendimmarrëse për trupat e tyre, vetëm nëse janë të martuara me një burrë”, tha ajo.
“Duke u thirrur në lirinë e fjalës e pozicionit personal, këta deputetë, që s’përfaqësojnë veten, por popullin, po mbi të drejtat e shëndetit riprodhues të grave dhe po i trajtojnë trupat tanë vetëm si makina riprodhimi që përdoren për politika nataliteti, duke shkelur përmbi agjencinë tonë trupore, si gra. Ne ua rikujtojmë se të drejtat e njeriut janë të pakontestueshme dhe të mbrojtura me kushtetutën, mbi të cilën ata janë betuar. Kushtetuta, i’a njeh të drejtën për të krijuar familje çdokujt, e këtu përfshihen çiftet, por edhe individët, gjegjësisht gratë beqare”, tha tutje ajo.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Kuvendi dështoi ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues, si pasojë e mospjesëmarrjes në votim të deputetit të pushtetit, Eman Rrahmani.
Rrahmani në vazhdimësi është deklaruar kundër këtij projektligji.
Gjatë shqyrtimit në parim, Rrahmani kishte thënë se duhet të rishikohet Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen, për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se një deputet nga shumica parlamentare qëllimshëm nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e ligjit.
Në votim nuk morën pjesë as deputetët e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj.
Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.
Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.
Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.