Opozita kërkon të mbahet seanca e jashtëzakonshme për Policinë

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për Policinë, pasi Kuvendi nisi punën për seancën e planifikuar për orën 14:00 të enjten. Por kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se do të vazhdohet sipas planifikimeve. 

Seanca e jashtëzakonshme për Policinë ishte dashur të mbahej në orën 11:00, por dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.

E tani, kur po mbahet vazhdimi i seancës së 5 tetorit dhe janë të pranishëm deputetët e pushtetit, opozita ka kërkuar që fillimisht të mbahet seanca e jashtëzakonshme.

“Ishte kërkesë e opozitës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Ju si kryetar në prani të shumicës duhet ta jepni një verdikt për mbylljen apo vazhdimin e asaj seance. Nuk mund të fillojë një seancë pa u dhënë verdikti. Duhet ta respektoni rregulloren e punës së Kuvendit nenin 68.4”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Asnjë seancë apo asnjë temë tjetër nuk është më me prioritet se siguria e Kosovës. Pasi kemi kuorum të kthehet seanca dhe ta votojmë rezolutën”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Nuk po dojmë me fitu vota me këtë punë. Ne po duam që policëve t’u paguhet rrezikshmëria, të kenë kushte më të mira”, ka thënë Bekë Berisha nga AAK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është e papranueshme dhe ikje nga përgjegjësia, mospjesëmarrja e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend të ftuar sot për Policinë e…

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ajo seancë nuk ka marrë epilog sepse nuk ka filluar. Ndërsa ka thënë se do të vazhdohet me seancën e planifikuar. 

Rendi i ditës

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 tetor 2023:

3 Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,

8. Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,

9. Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,

10. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

11. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,

12. Propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *