Edhe pse e ndaluar me ligj, në Kosovë ka mjekë që ushtrojnë veprimtaritë e tyre pa u lajmëruar dhe pa u licencuar nga institucioni përkatës, raporton Gazeta Neutral.
Së fundmi, Gazeta Neutral përmes nje hulumtimi të kryer, ka zbuluar ekskluzivisht se në ordinancën stomatologjike “Dent Line”, është e angazhuar një punëtore e cila kryen detyrën e doktoreshës.
Neutral, merr vesh se bëhet fjalë për Gentiana Musa, e cila kryen punën e mjekes e madje pranon edhe termine duke u thirrur në titullin “Doktoreshë”.
Përmes një inskenimi në rolin e pacientes, Neutral ka kontaktuar në numrin zyrtar të ordinancës “Dent Line” për të siguruar një termin për të kryer kontrollë stomatologjike tek “doktoresha”, Musa.
Nga kjo ordinancë kanë konfirmuar se mund të pranojnë termin tek Musa.
Musa, nuk figuron as në listën e Odës të Stomatologëve të Kosovës.
Leja dhe licencimi bëhet nga Bordi për Regjistrim dhe Licencim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe monitorohet nga Inspektorati Shëndetësor.
Në bazë të Udhëzimit Administrativ, institucionet shëndetësore që kanë të punësuar profesionistë shëndetësorë pa licencë gjobiten mijëra euro.
Mjeku ose ndonjë profesionist tjetër shëndetësor që punon pa licencë mund të po ashtu me mijëra euro.
Në Inspektoratin Shëndetësor punojnë gjithsejtë 13 zyrtarë: kryeinspektori, asistenti ekzekutiv, zyrtari i arkivit dhe dhjetë inspektorë shëndetësorë.
Kosova, viteve të fundit, është duke u përballur me mungesë mjekësh dhe infermierësh, pasi një numër i tyre ka migruar kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje profesionistëve të fushave të ndryshme mjekësore në mesin e mërgatës shqiptare, që të angazhohen dhe punojnë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.