Deputeti shqiptar i Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se tollovia në seancën e konstituimit të Kuvendit të Serbisë u karakterizua me akuzat e ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës se kush është “bashkëpunëtor i Kurtit”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nën fishkëllimat e opozitës ka dështuar përfundimi i seancës konstituive në Serbi.
“Përveç verifikimit të mandateve nuk është arritur që të zgjedhet kreu i parlamentit, sepse opozita me protestat përmes fishkëllimave nuk ka lejuar vazhdimin e seancës. Nuk dihet kur do të jetë vazhdimi. Gjithë kjo tollovi u karakterizua me akuzat e ndërsjella pozitë- opozitë se kush është ‘bashkëpunëtorë i Kurtit’. Sidoqoftë, bashkë me Ahmedinin dhe Selmën nga SDA do të vazhdojmë angazhimin tonë në një mjedis politik parlamentarë të kontaminuar”, ka shkruar ai.
Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë, ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të përbërjes së re, kaloi me fishkëllima nga opozita.
Deputetët e opozitës ishin para foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”.
Lista e opozitës Serbia kundër dhunës pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pushteti e refuzon.
Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit Serbia kundër dhunës e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë.