Më 13 maj bëhen 34 vjet nga ndeshja ndoshta më e famshme që nuk është luajtur asnjëherë.
Me 13 maj 1990 për shkak të egërsimit të tifozëve të Cërvena Zvezdës, të ashtuquajturve “Delije”, është anuluar derbi i atëhershëm i ligës jugosllave. Një prej fotografive ikonike të atij kaosi në “Maksimir” është ajo e goditjes së Zvonimir Bobanit ndaj policit në mes të fushës.
Polici të cilin ylli Boban e goditi në Maksimir quhet Refik Ahmetoviq. Ai më pas është bërë figurë mediale dhe ka dhënë deklarata interesante, raporton gazeta kroate Sportske Novosti.
“Kam mundur të vras atë. Më ka sulmuar në vend të punës. Josip Kuzhe (ish-selektori i Shqipërisë v.j.) e ka shpëtuar duke e larguar nga unë. Ne kemi dashur të qetësojmë situatën, ndërsa Boban ka ftuar tifozët e Dinamos ‘Bad Blue Boys’ në terren. Ishte e përgatitur. Revolen e kam pasur të mbushur dhe kolegët më kanë thënë që të gjuaj, por nuk kam dashur. Po të vazhdonte ndeshja do të kishte të vdekur. Kur i shtrënguam pak tifozët BBB, që nga veriu kanë vrapuar në terren, dhe i kemi pyetur kush i ka shtyrë drejtë egërsimit, kemi dëgjuar këtë: ‘Kemi pasur marrëveshje për të mbytur ‘Piksin’. Të gjithë kanë folur njëjtë, se si kanë marrë urdhër për të mbytur Dragan Stojkoviqin. Por pasi pushteti u ndërrua shpejtë, janë ndërruar edhe drejtuesit e policisë dhe askush nuk ka insistuar për zbulimin e urdhrit për likuidimin e ‘Piksit’”
Polici i pensionuar nga stacioni Dubrava, jeton në Ilijash, një vend në afërsi të Sarajevës në Bosnjë-Hercegovinë.
Ndeshja e paluajtur në mes të Dinamos dhe Zvezdës së Beogradit është vlerësuar në mesin e pesë ndeshjeve të futbollit që kanë ndryshuar botën. Një vlerësim të tillë e kishte bërë CNN. Ka vlerësime se ajo ndeshje ka ndikuar në shpërbërje të Jugosllavisë.
Rreth tre mijë tifozë beogradas kishin udhëtuar për në Zagreb, ndërsa kishte pasur rrahje të shumta me tifozët zagrebas rrugëve të qytetit. Por telashet e mëdha nisën kur tifozët nisën të paraqiten në stadium. Të udhëhequr nga krimineli Arkan, tifozët e Zvezdës nisën të shkatërrojnë tribunën, në tentim për të arritur te tifozët vendas. Ata kanë prishur rrethojën dhe kanë sulmuar tifozët e Dinamos me ulëse dhe me thika. Ndërkohë tifozët e Dinamos thyen po ashtu rrethojën dhe u futën në fushë në tentim për të arritur te serbët, por hasën në rezistencë të forcave të policisë. Tifozëve u dolën në mbrojtje Bobani, Vjekoslav Shkrinjar dhe trajneri Kuzhe. Kapiteni i Dinamos, Boban, sulmoi policin që kishte sulmuar një tifoz të Dinamos. Më pas tifozët e Dinamos i dolën në mbrojtje atij, ndërsa ai u bë figurë legjendare.
Pjesë e Dinamos atëherë ishte edhe Kujtim Shala.
“Ajo ndeshje që nuk u luajt asnjëherë ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë. Është historike pasi ‘Delije’ të ndihmuar nga policia morën pjesë në shkeljen e krenarisë kroate. Sinqerisht edhe para hyrjes në stadium kam ndier që ajo ndeshje nuk do të luhet, pasi trazirat kanë nisur shumë më herët dhe është ndier tensioni”, ka treguar Shala vite më parë, raporton Koha.net. Ai nuk ishte pjesë e ekipit që është dashur të luajë.
“Më kishin dënuar pas ndeshjes në Sarajevë dhe kur mendoj, falënderoj Zotin që atëherë nuk isha në terren. Ndonjëherë pyes veten se si do të reagoja nëse do të më godiste polici me shkop të gomës, ashtu si kishte abuzuar me Bobanin. Kam parë se si Boban, derisa ka shpëtuar të afërmin nga policia brutale, mori goditje në kokë dhe shpinë. Natyrisht kam parë edhe goditjen e tij historike ndaj policit. Më pas kam dëgjuar se si polici për pak nuk ka qëlluar me armë Bobanin”, ka thënë Kujtim Shala.
Shala kishte dalë në terren kur skuadra po ngrohej, ndërsa Bad Blue Boys thirrën emrin e tij. Thotë se asnjëherë nuk do ta harrojë atë moment.