Ndalohet shitja e afër 50 mijë paketimeve të hurmave në Kosovë, kjo është arsyeja

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar shitjen e 49,352 paketimeve të produktit hurma për mos përputhje të peshës së deklaruar në parapaketim.

“Gjatë inspektimeve të zakonshme që Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, realizon çdo ditë, në disa subjekte ekonomike të inspektuara, është hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së peshës së deklaruar të produkteve”, thuhet në njoftimin e inspektoratit.

“Bëhet fjalë konkretisht për produktin hurma, me ç’rast është ndaluar shitja e 49,352 paketimeve të këtij produkti. Inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave kanë konstatuar së produktet hurma të peshës 550 gram dhe 600 gram nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në parapaketim dhe të njëjtat nuk e plotësojnë kriterin e mesatares dhe atë të përmbajtjes në etiketë”, thuhet në njoftim.

MINT shton tutje se si rrjedhojë, subjektet ekonomike janë obliguar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi, përkatësisht të vendosin deklaracionin me peshën e saktë të produkteve, dhe në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e konusmatorëve dhe konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *