Politikani opozitar Sanduloviq flet për herë të parë pas lirimit

Lideri opozitar serb ishte liruar të hënën nga paraburgimi pasi, siç ka thënë ai, shërbimi sekret i Beogradit e ka rrahur, torturuar, turpëruar dhe kërcënuar ta vrasin atë dhe familjen e tij.

Nikola Sanduloviq ka folur për herë të parë pasi u pa në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka thënë se u mor nga shtëpia e tij 10 ditë më parë dhe u rrah brutalisht për më shumë se gjashtë orë nga shërbimi i inteligjencës, raportoi Guardian.

Si rezultat i dhunës, avokatët e tij kanë thënë se Sanduloviq ka mbetur i paralizuar në anën e majtë të tij dhe se ka pësuar dëmtim nervor.

“Më kidnapuan anëtarë të policisë sekrete serbe të cilët për gjashtë orë më rrahën, torturuan, poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin tim por edhe jetën time”, ka thënë Sanduloviq.

“E gjithë kjo për shkak të qëndrimit tim politik dhe dërgimit të luleve në varrin e një vajze 7-vjeçare të vrarë, që i përkiste familjes Jashari”.

Sanduloviq është akuzuar për shkelje të ligjit, se ka nxitur urrejtje kombëtare, racore dhe fetare.

Akuzat u ngritën pasi ai kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999. Ai është kritikuar ashpër për ripostimin e një video ku kishte vizituar varrin e Adem Jasharit, themeluesi kyç i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra nga policia serbe më 1998 bashkë me 57 anëtarët e familjes së tij.

Sanduloviq ka thënë se pas sulmit, policia në vend se ta dërgonte në burg e dërgoi në emergjencë për shkak se gjendja e tij “ishte kritike”.

Agjencia serbe e Inteligjencës (BIA) ka pohuar se e ka marrë në pyetje Sanduloviqin, por ka mohuar se ka përdorur forcë mbi të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *