Punësime partiake të Qeverisë Kurti tani janë bërë si vakt i bukës. Pothuajse çdo muaj nga partia në pushtet punësohet dikush në pozita kogja të larta. Nuk mjaftoi që kryeshefi i ndërmarrjes Trainkos, Agron Statovci të jetë i afërt me pushtetin, i njëjti rehatoi me pozitë fort të mirë në ndërmarrjen publike militantin e Listës Guxo, Florim Gjyrevci, shkruan Gazeta Neutral.
Agron Statovci, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të ndërmarrjes publike “Trainkos”, që këtë pozitë e kishte marrë me zhurmë për shkak të lidhjeve të tij me Guxo-n, ka emëruar në pozita të rëndësishme në ndërrmarrjen që merret me menaxhimin e Hekurudhave të Kosovës edhe njerëz të tjerë të afërt me pushtetin.
Në prill të vitit 2023, Agron Statovci, ishte përzgjedhur Ushtrues Detyre i Kryeshefit të ndërmarrjes publike “Trainkos”.
Emërimi i tij në këtë pozitë kishtë bërë bujë, pasi ai kishte lidhje familjare me deputeten e pushtetit, Jeta Statovcin, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes me partinë Guxo.
Pas reagimeve të shumta – Agon Statovcit i kishte dalë në mbrojtje ish-kandidatit të LVV-së për Asamble Komunale në Fushë Kosovë përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, Florim Gjyrevci.
“Me kryeshefin ekzekutiv të kompanisë “TrainKos” z.t. Agron Statovci, ju përshëndesim përzemërsisht”, shkruante ai në Facebook, postim ky që nuk gjendet më në profilin e tij.
Gjyrevci, i cili mbështeti Statovcin, por edhe partinë në pushtet kishte marrë pozitë në Trainkos, si shef i Transportit të Mallrave.
Se Gjyrevci ishte pjesë e partisë në pushtet e dëshmojnë fotografitë e tij që figurojnë në faqen e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë.
Ndryshe, Statovci ka bërë shkelje të vazhdueshme të Ligjit të Punës. Ai, në pozitën e U.D. të kryeshefit të ndërmarrjes publike “Trainkos”, ka marrë mbi 30 vendim të kunderligjshme.
Mbi 30 vendime të tij për ulje, ngritje dhe largim nga detyra, janë konsideruar të paligjshme nga Inspektorati i Punës, në vendimin me Nr.01/12-14/24 të datës 16.05.2024.
“Punëdhënësi duke i vendosur punonjësit në pozitën e U.D. në listën e prezantuar dhe vendimet e prezantuara në Inspektoratin e Punës, më shumë se 30 ditë, ka vepruar në kundërshtime me nenin 18 të paragrafit 2 i Ligjit nr 03/L212 i Punës, si dhe shkelje të nenit 30 të Rregullores së Marrëdhënies së Punës dhe Procedurës Disiplinore në Hekurudhën e Kosovës – Trainkos, e miratuar në Dhjetor 2017”, thuhet në raportin e Inspektoratit.
Në këtë vendim i është kërkuar atij të evitojë shkeljet në afat prej tre (3) ditësh, por as këtë kërkesë nuk e ka zbatuar.
“Punëdhënësit i bëhet vërejtjeje që në afat prej 3 ditëve të eliminojë parregullsitë e konstatuara”, thuhet më tej në raportin zyrtar.
I njëjti vazhdon të mbaj këtë detyrë edhe pas të gjitha shkeljeve ligjore të konstatuara nga Institucionet përkatese.