Ministrja serbe Milica Gjurdeviq Stamenkovski ka shpërthyer në një emision televiziv në Beograd kundër festivalit Miredita -Dobar Dan, duke përmendur njërin nga të ftuarit shkrimtarin kosovar, Azem Deliu, i cili sipas saj ka madhëruar figurën e Adem Jasharit.
Ministrja 33-vjecare e instruktuar nga pushteti atje ka sulmuar drejtuesit e emsionit duke përdorur etiketime tipike të Beogradit për UÇK’në dhe heronjtë e saj si “terroristë që kane vrarë policë serbë”.
“Çka ka artistike te Adem Jashari. Shikoni kush është pjesëmarrës këtë vit, e prezantoni si dikë që e madhëron ja kë…Adem Jasharin. Unë tash ju lus që ju të më tregoni a ka qenë Adem Jashari artist nga Drenica, shkrimtar, version mashkull i Desanka Maksimoviq( poete serbe). Ju e keni ftuar dikë që e madhëron organizatën terroriste. Dua të ju njoftoj se pjesëmarrësi i sivjem Azem Deliu …dhe ja e madhëron …a e dini bre ju kush ka qenë Adem Jashari. Nëse e dini kush është Adem Jashari e dini se për shkak të tij ka filluar lufta për shkak të formacioneve të tij që ka vrarë policë serbë në Kosovë e Metohi”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, mbahet në Beograd çdo qershor dhe prezanton publikun e Beogradit me skenën kulturore të Kosovës, si një kontribut kulturor të aspiratave të përgjithshme të krijimit të përhershëm të paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ideja kryesore e festivalit është fillimi i takimeve dhe shkëmbimeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që këto takime të bëhen traditë dhe vazhdimisht të kontribuojnë në bashkëpunimin e të dy shoqërive për të përmirësuar marrëdhëniet shoqërore, politike dhe kulturore.
Gjatë këtij festivali, mbahen debate publike që do të shqyrtojnë në mënyrë kritike marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga pikëpamja e trashëgimisë të së kaluarës, si dhe për perspektiva për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, sportit, sektorit civil dhe të gjitha segmenteve të shoqërisë.