Në zyrën e presidentes së vendit, Vjosa Osmani ka arritur një letër nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Jetish Maloku, letra besohet se lidhet me mos-dekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i Shtetit.
Se letra ka arritur në zyrën e Osmanit e ka konfirmuar këshilltari i saj, Bekim Kupina
“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, tha Kupina për Insajderin.
Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media deklaroi se nuk do ta dekretojë për kryeprokuror, Blerim Isufajn.
Osmani tha se ka gjetur shkelje procedurale të cilat janë cilësuar edhe nga raporti i BE-së si mungesë transparence për zgjedhjen e kryeprokurorit.
“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar.