Çka zbuloi Haradinaj për Statutin?

Përplot me materie vetëqeverisje dhe autonomie politike për serbët e Kosovës draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe e publikoi ish-Drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, ndërsa nga opozita një vështrim jo lehtë të kapërdishëm rreth saj e dha Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, në emër të konfidencialitetit të bisedimeve nuk shpaloi asgjë rreth draftit teksa nxituan ta shpallin thjesht “me shikim sipërfaqësore” në përputhje me Kushtetutën e Kosovës; ndonëse thanë se “me germën po, me frymën jo”.

Në këtë Statut të publikuar nga Ramadani, që Nacionale përmes burimeve të saj ka arritur ta verifikojë si drafti autentik i sjellur nga pesë emisarët më 21 tetor, për referencë është futur edhe Rezoluta 12/44; gjë që asnjëherë nuk ka qenë rasti.

Për këtë referencë më së ashpri ka reaguar ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili në një seri kolumnesh të botuara në Gazetën Express, ka shkruar se “futja e Rezolutës 1244, së bashku me ligjet, si bazë për interpretim të kushtetutshmërisë së Autonomisë serbe, dhe garantimi i njëkohshëm i integritetit territorial e sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin. Rezoluta 1244 garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës (sic!)”.

Haradinaj, pas takimin me ndërmjetësin sllovak Miroslav Lajçak – për këtë të fundit Statuti “nuk i shkel vijat e kuqe të palëve” – tha në Rubikon se “dokumenti është bukur i pasur me përmbajtje” dhe se “nuk di më se çka tjetër mund të përfshihet aty”.

Por, pse erdhi deri të një dokument me përmbajtje kaq të thellë e të gjerë vetëqeverisjeje për serbët, dhe saktësisht nga kundërshtari më i madh i më shumë se një dekade i këtij “institucioni”?

Haradinaj, e pati një shpjegim. Thotë se Kurti “arriti t’i bindë bashkësinë ndërkombëtare që të drejtat e serbëve në Kosovë nuk respektohen”.

Besoj që menaxhimi jo i mirë i Dialogut nga Kryeministri Albin Kurti; qasja jo e duhur në njëfarë mënyre mbërrijti me i bind palët tjera që të drejtat e serbëve të Kosovës nuk respektohen nga Kosova. Në njëfarë mënyre i bindi aleatët tanë që garancat duhet me qenë të qarta, të sakta, të shkruara”, tha Haradinaj.

Por, edhe më shqetësuese, ai tha se “Asociacioni ashtu si e kam lexuar, është kujdesur që me i garantu këto për afatgjatë, ato mbesin gati përjetësisht”.

Mendoj se qasja jo e drejtë e Kurtit edhe ato porositë që të drejtat e serbëve të Kosovës nuk përfillen ose nuk respektohen mjaftueshëm nga Kosova, dhe që kërkohet garancë për të ato të drejta, ose garancë të re, ka ndiku që ato mu identifiku dhe të gjitha me qenë të listume edhe me pas garanca ndërkombëtare që ato në të ardhmen me qenë të drejta që i parasheh Asociacioni”, shtoi Haradinaj.

Është një lloj dokumenti mjaft konkret, një lloj akti ligjor në vete, me historikun e vet, nenet veç e veç, shpjegimin e organeve, përgjegjësive, institucioneve…”.

Nacionale ka provuar të marrë përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës, rreth këtij Statuti por nga bashkëbisedues brenda partisë na është thënë se janë duke e analizuar në tërësi për të dalë me qëndrim të plotë partiak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *