Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Ferizajit, ku pas të shtënave me armë zjarri, një grua ka mbetur e vrarë, teksa një person tjetër është plagosur.
Rasti ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ku u shkëmbyen me armë zjarri.
Policia ka bërë me dije se i plagosuri, vëllai i viktimës, është jashtë rrezikut për jetën.
I dyshuari tashmë është arrestuar dhe është shoqëruar në Sektorin e Hetimeve në Ferizaj.
“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.
Tutje, policia ka bërë me dije se hetuesit janë në vendin e ngjarjes:
“Hetuesit dhe krim teknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në fund, policia ka thënë se për informata të tjera, publiku do të njoftohet më vonë.