Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë që Serbia me ledhatime nuk mbledhë mend.
Musliu thotë se Serbia duhet të ndëshkohet dhe të merr dënimin e merituar, jo vetëm për aktet terroriste të së dielës, por edhe të gjenocidit që e ka kryer në luftë.
“Apeloj te bashkësia ndërkombëtare që përfundimisht ta kuptoj Serbinë që me ledhatime, Serbia nuk mbledhë mend. Serbia duhet të ndëshkohet dhe ta merr dënimin e merituar për aktet terroriste, por jo vetëm, sepse Serbia ende nuk është dënuar për gjenocidin që e ka kryere në Kosovë. Prandaj, tendenca për t’i ulur zërat në Kosovë, se kam parë postime që kanë bërë thirrje që të mos publikohen fotografitë e terroristëve të vrarë dhe mos të harrojmë që Kosova ende i ka të freskëta pamjet e fëmijëve të Kosovës me shishe qumështi të masakruar, ende i ka pamjet e grave shtatzëna me bark të prerë, ende i ka pamjet e të rinjve pa koka, dhe përhirë të paqes, përhirë të stabilitetit të vendit Kosova shpeshherë ka përbirë shumë gjëra dhe ka bërë thirrje që thjesht të mundohemi ta tejkalojmë atë pjesë të rëndë të sakrificës tonë me pretendimin që të instalojmë paqe në këtë vend”, tha ajo në emisioni “Ditari” në Tëvë1.
Musliu, thotë se është e tmerrshme që sot gjykohen krerët e UÇK-së përballë gjenocidit dhe agresorit që e ka shkaktuar Serbia në luftë.
“Ndërsa, Serbia ka përfituar nga kjo duke u munduar që neve të na pozicionojë në rolin e agresorëve e që vetë të jetë viktima. Është e tmerrshme që edhe sot kur po flasim neve na u gjykohen krerët e UÇK-së në Hagë përballë gjenocidit dhe agresorit që e ka shkaktu Serbia në Kosovë”, tha deputetja opozitare.
Musliu dyshon se nëse edhe kësaj radhe Serbia nuk dënohet, ajo nuk do të ndalet me veprime të tilla.
“Unë mendoj që Evropa duhet ta ndalë përkëdheljen ndaj Serbisë dhe nëse edhe kësaj radhe Serbia nuk e merr dënimin e merituar dhe nuk merr mësim nga ky akt terrorist, unë kam dyshim që Serbia nuk do të ndalet me veprime të tilla”, shtoi ajo