Gjatë natës, Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë se 250 balona me mbeturina drejt Koresë së Jugut, njoftoi të mërkurën ushtria e Koresë së Jugut.
Është hera e gjashtë që Koreja e Veriut lëshon balona me mbeturina në Jug që nga fundi i muajit të kaluar. Për shkak të incidentit, aeroporti afër Seulit u mbyll për rreth tre orë, raporton agjencia “Yonhap”.
Rreth 100 balona u lëshuan në Seul dhe në pjesën veriore të provincës Gyeonggi, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Koreane.
Fluturimet e brendshme dhe ndërkombëtare u pezulluan ose u vonuan për rreth tre orë në Aeroportin Ndërkombëtar Incheon, në perëndim të Seulit.
Balona nuk përmbanin substanca toksike.
Koreja e Veriut vlerësohet të ketë lëshuar më shumë se 2 mijë balona që mbanin mbeturina që nga 28 maji. Si përgjigje, më 9 qershor, për herë të parë në gjashtë vjet, Koreja e Jugut filloi transmetimin e fjalimeve kundër qeverisë së Phenianit përmes altoparlantëve në zonën kufitare.