Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim lamtumirës Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Mixhozi, i cili është në fund të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.
Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se Sveçla e ka falënderuar Minxhozin për angazhimin e tij.
“Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, ministri Sveçla e falënderoi Ambasadorin Minxhozi për angazhimin e tij përgjatë viteve për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se ministri e ka vlerësuar përkushtimin e ambasadorit, përcjell Klankosova.tv.
“Me këtë rast, ai vlerësoi bashkëpunimin, si dhe përkushtimin e Ambasadorit Minxhozi për t’i përafruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona. Ministri theksoi se angazhimi mes dy vendeve do të thellohet edhe më tej në shërbim të qytetarëve të dy vendeve. Ndërsa Ambasadori Minxhozi e falënderoi ministrin Sveçla për angazhimin dhe gatishmërinë për të quar përpara agjenda të rëndësishme në shërbim të dy vendeve, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e shërbimeve dhe afrimin e mëtejmë mes qytetarëve tanë”.
“Ndër bashkëpunimet me rëndësi që kanë ndodhur mes dy ministrive të dy vendeve janë: Marrëveshja për lehtësimin e procedurave për kalim të kufirit, hapja e pikës së përbashkët kufitare Krushevë – Shishtavec, Marrëveshja për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit, Marrëveshja për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit etj”, thuhet tutje në njoftim.