Sarrazin për rundin e ri të dialogut: Nuk ka entuziazëm të madh

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se nuk ka entuziazëm të madh për takimin e sotëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të enjten mbahet rundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi.

Sarrazin në një intervistë dhënë për emisionin “Newsnight” në televizionin “N1” ka thënë se po i gëzohet që më në fund po mbahet një takim i nivelit të lartë.

“Nuk ka një entuziazëm të madh se do të ndodh një përparim i madh, bëhet fjalë për hapa konkretë për deeskalimin në veri të Kosovës, të hapen dyert e të ecet në rrugën pozitive. Rajonit i nevojiten lajme të mira”, ka thënë Sarrazin.

Ai thotë se shpreson që dialogu dhe puna e madhe do të tregojnë një rrugë pozitive.

I pyetur se çfarë mund të arrihet në rundin e radhës të dialogut, Sarrazin ka thënë se plani i deeskalimit të BE-së është që të dyja palët të shkojnë drejt tërheqjes së forcave policore, zgjedhjeve të reja për kryetarë në katër komuna në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se kryetarët duhet t’i shërbejnë qytetarëve.

“Ne do të shohim se sa larg do të shkojmë, por është me rëndësi të fillojmë të punojmë përsëri”, ka thënë Sarrazin.

Sarrazin thotë se zgjidhjen e dialogut e sheh vetëm nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS) dhe Marrëveshjes së Ohrit.

Ai ka thënë se është e qartë se bashkësia ndërkombëtare pret “që pala kosovare të ecë para me themelimin e Asociacionit siç është rënë dakord, e në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Presioni politik për të arritur depërshkallëzimin është shumë i lartë. Të dyja palët duhet tqa dëshmojnë se do të ofrojnë diçka”, ka thënë Sarrazin.

Ai ka thënë se është me rëndësi që situata në veri të normalizohet.

Ai ka thënë se synimi është që të gjithë qytetarët – në Serbi dhe Kosovë, të bëhen pjesë e BE-së “pa kufij të fortë”.

“Përshkallëzimi e ka bërë të vështirë rrugën e zgjerimit për rajonin. Ka një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ajo është toksike për gjithë rajonin. Duhet progres, që të ketë një të ardhme evropiane për Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *