Policia e Kosovës sot konfirmoi se katër persona janë arrestuar si të dyshuar në veriun e vendit të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve.KALLXO.com ka biseduar me avokatin e njërit prej të arrestuarave i cili ka konfirmuar se gjatë arrestimit, në veturën ku ishte ai është gjetur një radio-lidhje dhe një bateri.
“Katër të arrestuar, njëri nga ta është Dushan Vllajeviq nga fshati Zhitkoc të Leposaviqit me banim në Mitrovicën e Veriut, ai dyshohet për dy vepra penale” – ka thënë avokati.
Ai ka thënë se në deklarimet e para para hetuesisë, klienti i tij nuk ka dhënë shumë detaje ndërsa, tha se armë nuk janë gjetur gjatë arrestimit.
“Gjatë bastisjes dhe kontrollit në rrugë ku janë arrestuar i është gjetur një radio-lidhje dhe një bateri që vendoset në kokë. Armë nuk janë gjetur, as te ky as të personi tjetër që ka qenë shofer…” – ka thënë ai.
“Klienti im u deklarua se nuk din asgjë për rastin, siç tha ai ka dal me pi kafe tha se vetëm ka dëgjuar për një incident. Pastaj, siç tha shoku tij e ka marrë me veturë, duke u kthyer i ka ndal policia” – ka deklaruar avokati.
I arrestuari tjetër është Millan Gjoni një banor tjetër i Mitrovicës Veriore. Avokati i tij ka konfirmuar për Kallxo.com arrestimin e tij.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.