Gati 4 milionë euro shpenzime të Kuvendit, deputetët ankohen për kushte të punës

Në komisionin për për Buxhet, Punë dhe Transfere, U.D i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi ka prezantuar raportin e shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 për pesë kategori.

Sipas Loshit shpenzimet e Kuvendit janë në shumën 3 milionë e 880 mijë e 950 euro ose 35.74 për qind e realizmit të buxhetit për 2023.

Gati 4 milionë euro shpenzime të Kuvendit të Kosovë,  deputetë e opozitës dhe mazhorancës ankohen për mungesë kushteve për punë, raporton KosovaPress.

Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka adresuar kritika ndaj anëtarëve të administratës së Kuvendit. I njëjti ka kërkuar përgjigje lidhur me pajisjet elektronike në Kuvend për votim, i cili shtoi se tash e disa vite nuk janë funksionale.

“Statusi i pajisjeve të Kuvendit që nuk janë funksionale tash e një kohë po krijon probleme gjatë votimit, shpeshherë edhe zërimi nuk është në rregull. Çka nuk po funksionon me pajisjet e zërimit, nuk është në funksion të plotë sistemi apo vetëm pjesa e votimit. Duhet dikush ta marrë përgjegjësinë pse sistemi nuk funksionon pothuajse për tri vjet. Nuk mund t’i pranojë arsyetimet, nuk ka mundësi mos me pas një operator që e kryen një punë teknike”, tha Korenica.

Për këtë, Loshi tha se ka probleme teknike dhe se përgjegjësia nuk është tek Administrata e Kuvendit.

“Sa i përket pajisjeve ka probleme disa vite, kur një pjesë e mikrofonave nuk janë funksional. Nuk ka përkrahje, nuk prodhohen më këto pajisje, nuk ka në treg, prodhuesi ka mbyll sa i përket atij lloji. Në të dy rastet ka probleme teknike, për atë qëllim është planifikuar buxheti për blerjen e pajisjeve të reja. Ky projekt është në procedurën e realizimit. Përgjegjësia nuk është tek Administrata e Kuvendit”, tha Loshi.

Ndërkaq deputeti nga PDK, Mergim Lushtaku tha se shpenzimet e kryetarit të Kuvendit duken të jenë të goxha të jashtëzakonshme, derisa kërkoi edhe shpjegime për to.

“Mbi 51 mijë euro janë shpenzuar për kryetarin dhe kabinetin e tij për shëtitje brenda dhe jashtë vendit për dreka dhe darka. Duket goxha një shpenzim i jashtëzakonshëm, a ka pasur planifikime. Është një shpenzim i jashtëzakonshëm, a ka pasur planifikime aq të mëdha për një periudhë kaq të shkurtër”, tha Lushtaku.

Për këtë Loshi tha se sa i përket këtyre shpenzimeve vendos Kryesia e Kuvendit.

“Çdo shpenzim i kryetarit, e nënkryetari, deputetit për udhëtim zyrtare brenda dhe jashtë për akomodim bëhet me vendim të Kryesisë. Çdo shpenzim administrate, Kuvendi e zbaton, ka për detyre dhe obligim t’i zbatoj vendimet. Vendimet e Kryesisë janë të detyrueshme për zbatim nga administrata e Kuvendit”, tha Loshi.

Ankesa pati edhe nga deputeti i AAK-së Pal Lekaj.

Lekaj po ashtu ngriti sërish shqetësimin për zyrat e deputetëve. Sipas tij takimet e punës po bëhen në kafene për shkak të mungesës së zyrave.

“Është kërkesë që të kemi zyra. Sa keni tentuar që të gjeni hapësira që të akomodohen deputetet? Kërkesa është e kamotshme, por s’është realizuar, vetëm një zyrë dhe jo t’i bëjmë takimet në kafene, jemi në këtë gjendje”, tha Lekaj.

Lidhur me këtë, Loshi tha se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje për këtë çështje.

“Për momentin nuk është që ka një objekt ose zgjidhje të caktuara për këtë çështje”, tha Loshi. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *