Dy ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në Zveçan janë parë disa mbishkrime me motive të nxitjes së urrejtjes. Mbishkrimet në disa mure të shtëpive janë të njëjtat sikur ato që janë shfaqur ditë më parë: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Policia e ka raportuar këtë edhe në raportin 24 orësh.
“Njësitë policore gjatë patrullimit kanë vërejtur se nga i/të dyshuar deri më tani të panjohur, në muret e disa shtëpive janë bërë disa mbi shkrime me motive të nxitjes së urrejtje. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që të iniciohet rasti dhe të vazhdohet me hetime”, thotë policia.
Ky slogan ka kohë që shfaqet në Serbi, por edhe në veri të Kosovës, rajon i banuar nga shumica etnike serbe.
Më 11 shtator, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut. Grafiti, i shkruar me shkronja cirilike, ishte ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë.
Që nga fundi i korrikut, grafite me mbishkrim të tillë janë shfaqur në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi. Një grafit i tillë është parë në gushtë edhe në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës.
Grafiti është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.
Aty pjesëmarrës kishte qenë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar. Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bislimi, po ashtu, ka deklaruar se Delije, tifozët e Zvezdës, “shpesh dërgojnë mesazhe që Vuçiq nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht”.
Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.
Në shkurt të këtij viti, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e ngjyrosën me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit.
Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend, dhe disa vende tjera në Beograd.
Një ditë pas përleshjeve të armatosura në Banjskë, në Serbi është hapur debati se kush e armatosi dhe kush e dërgoi grupin kriminel të sulmojë policinë e Kosovës.
“Vuçiqit duhet t’i besohet se Serbia nuk ka asnjë lidhje me Banjskën – asgjë për të nuk është e leverdishme. Megjithatë, kjo nuk ka për t’i ndihmuar shumë. Serbia është peng i demagogjisë së presidentit të vet, nga e cila lindën edhe grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë””, shkruan në analizën e tij në të përjavshmen e Beogradit “Vreme”, Filip Shafrm. “Pas kaq shumë luftërash televizive, nxjerrjesh haubicash, serbizimi tabloidesh dhe trimërive të tjera boshe, ashiqare se vjen kostoja për t’i paguar. Çmimin më të lartë të kësaj politike, si dhe më parë, e paguajnë serbët në Kosovë.”/The Geopost