Lirohen 6 serbë, nuk u arrit të konfirmohet ndërlidhja tyre me grupin terrorist

Policia e Kosovës ka arrestuar dhe ndaluar 8 persona të dyshuar se janë pjesë e grupit prej më shumë se 30 personash që trazoi veriun e Kosovës dy ditë më parë, kur vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe të cilët më pas u strehuan në Manastirin e Banjkës në Zveçan.

Mirëpo nga ky numër, vetëm dy vazhdojnë të mbesin nën masën e arrestit.

Prokurori Afrim Shefkiu ka treguar për KIKS Kosova se katër personat që u arrestuan të dielën pas kontrollit që i ishte bërë një veture derisa aksioni policor për neutralizimin e grupit terrorist po vazhdonte, janë liruar, raporton Klankosova.tv.

Në veturën e tyre ishin gjetur radiolidhje, por që sipas Shefkiut, nuk është arritur të konfirmohet ndërlidhja e këtyre katër personave me grupin terrorist.

Më tutje, KIKS Kosova merr vesh se janë liruar edhe dy të ndaluarit e mbrëmshëm, punëtorë të një hoteli afër Banjskës, të cilët u ndaluan pasi u gjet armatim në një veturë në parkingun e hotelit.

Lirimi i tyre ka ardhur pas intervistimit nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, pasi thuhet se nuk është arritur të bëhet lidhja me grupin terrorist.

Ndërkaq njëri nga të arrestuarit, fillimisht ka thënë se do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për të dhënë detaje në lidhje me grupin, me kushtin që të njëjtat t’i ofrojnë mbrojtje familjes së tij.

Megjithatë, kur është marrë në pyetje nga prokurori i PSRK-së, ai është mbrojtur në heshtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *