Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, tha se sa herë që ka tensione në mes Kosovës e Serbisë, gjithmonë manifestohet edhe në Luginën e Preshevës.
“Edhe tani pas ngjarjes që ndodhi në veri të Kosovës, kemi lëvizje të ushtrisë së Serbisë në këto anë. Kjo formë e lëvizjes së ushtrisë e krijon dhe rrit pasigurinë e shqiptarëve në Serbi”, tha Lutfiu.
Lidhur me tërheqjen e trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën, Lutfiu tha se ka lëvizje të trupave ushtarake në brendi të territorit të Bujanocit e Preshevës, sidomos pas ngjarjes në veri të Kosovës.
Ai përmendi një rast në Medvegjë, në ditën e shtunë, ku një familje shqiptare ishte sulmuar nga disa adoleshentë serbë.
“Frika për ngjarje të tilla ekziston edhe për faktin se në Serbi ka ekstremistë të shumtë që fare nuk kontrollohen nga shteti. Imagjinoni një shtet që ka ambicie territoriale ndaj një shteti tjetër, çfarë mund të bëjë ndaj një komuniteti që është në kuadër të territorit të tij”, deklaroi Lutfiu, për RTK.