Gjatë agjërimit, qarkullimi i traktit tretës çlirohet nga tretja e ushqimit dhe metabolizimi i lëndëve ushqyese në procesin e tretjes së ushqimit. Në këtë mënyrë, zemra jonë pompon një sasi më të vogël gjaku dhe energjia në trup drejtohet nga tretja e ushqimit në veprime të tjera të rëndësishme: shërimi i plagëve, puna intelektuale dhe tejkalimi i sëmundjeve.
Dr. Allan Cott, një nga ithtarët e shërimit me agjërim, thekson në librin e tij “Agjërimi si një mënyrë jetese” se agjërimi çon në një pushim të përgjithshëm fiziologjik të traktit tretës si dhe në sistemin nervor qendror dhe normalizon dhe balancon metabolizmin.
Fituesi i çmimit Nobel, dr. Alexis Carrel, tha se gjatë agjërimit në organizëm ndodhin procese komplekse dhe të pashpjegueshme që janë shumë të rëndësishme për trupin dhe se në këtë mënyrë agjërimi i shpëlan të gjitha përbërjet në trup dhe i ndryshon ato.
Gjithashtu, konstatimi i shkencëtarit amerikan Dr. Herbert M. Shelton (1895-1985) në librin “Agjërimi mund të shpëtojë jetën tuaj”, citohet edhe sot nga ithtarët mjekësorë të agjërimit: “Nuk ka asgjë më të bukur sesa të dëshmosh shërimin e plotë të sëmundjeve gjatë agjërimit”. Shelton thekson më tej se agjërimi pushon trupin; lehtëson e përshpejton punën e sistemit tretës; lehtëson punën e veshkave dhe kanalit urinar duke reduktuar urinimin; mpreh shikimin (një person mund të shohë dy herë më mirë pas agjërimit); largon toksinat dhe pastron trupin; përmirëson gjendjen e shëndoshë të mendjes, sepse mospërmbajtja në dietë çon në dembelizëm, përgjumje dhe të menduarit më të dobët; rinovon dhe rigjallëron dhe mbron nga obeziteti.
Hipokrati “Babai i Mjekësisë”, i cili jetoi deri në një moshë 90-vjeçare, shkroi: “Të gjithë e kanë një mjek në vetvete; ne thjesht duhet ta ndihmojmë atë në punën e tij. Të hash kur je sëmurë, do të thotë të ushqesh sëmundjen tënde”. Dhe filozofi i madh Paracelcus, shkroi: “Ata që agjërojnë janë në duart e mjekut të brendshëm.
Ndihmon në shërimin e sëmundjeve kronike
Gjatë agjërimit ulet marrja e thartirave të ngopura yndyrore, të cilat janë të lidhura me shfaqjen e kolesterinës së keqe. Është konstatuar shkencërisht që agjërimi i kontribuon shërimit të diabetit, inflamacionit të sistemit të tretjes, parandalon krijimin e gurëve në veshka. Gjatë kohës së agjërimit forcohen lëkura dhe indet lidhore dhe zbusin apo zhdukin migrenën, alergjitë, aknet, si edhe sindromën paramenstruale. Ndihmon në trajtimin e sëmundjeve kronike si lupusi, presioni i lartë i gjakut, artriti dhe sëmundja e Crohn-it.
Humbje peshe
Agjërimi i Ramazanit nuk ndikon domosdoshmërisht në humbjen e peshës, por mjekë dietologë në shumë vende përdorin gjithnjë e më shumë përfitimet e agjërimit të Ramazanit kur përshkruajnë dieta dhe terapi për pacientët obezë. Sipas rekomandimeve të tyre, agjëruesi duhet të shmangë vaktet me kalori të lartë dhe marrjen e sheqerit. Agjëruesit që duan të humbin peshë mund të kenë një darkë të shëndetshme që përfshin supë, bukë të freskët, hurma dhe djathë dhie.
Shëndeti mendor
Ekspertët kanë zbuluar gjithashtu se kufizimi i marrjes së ushqimit gjatë ditës mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor. Gjegjësisht, shkencëtarët studiuan lidhjen mes dietës, shëndetit të stomakut dhe shëndetit mendor. Ata zbuluan se agjërimi mund të çojë në lirimin e BDNF (faktori neurotrofik që rrjedh nga truri) në tru. Është treguar se mbron qelizat e trurit dhe mund të çojë në reduktimin e depresionit dhe nervozizmit, si dhe në rrezikun e zhvillimit të demencës.