Lëvizjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, Berisha: Në Serbi ka kriminelë që duan luftë dhe të zbatojnë planet e Rusisë

Në kohën kur çështja e sigurisë është kthyer në temë pas sulmit terrorist të një grupi serbësh në Banjskë, aktiviteteve ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe ndërtimit të bazave ushtarake po vijnë edhe reagimet e zyrtarëve të Kosovës.

Këto lëvizje të ushtrisë serbe, sipas Bekë Berishës, kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nuk janë të reja dhe se Serbia në vazhdimësi ka bërë veprime të tilla provokuese dhe presion ndaj Kosovës.

Në intervistën e dhënë për Telegrafin, Berisha tha se në Serbi ka njerëz që duan vetëm luftë.

“Lëvizja e trupave apo ndërtimi i bazave ushtarake përreth kufirit me Kosovën nuk është risi, këto kanë ndodhur edhe më herët, pastaj ka pasur dhunim të territorit, kanë hyrë në territor të Kosovës disa herë xhandarmëria dhe ushtria e Serbisë. Ne kemi reaguar edhe në ato raste, nuk janë befasi, e ka bërë si lloj presioni ndaj Kosovës, sidomos tani kur jemi në fazën përfundimtare të bisedimeve Kosovë – Serbi. Po ashtu kemi pasur një sulm direkt në Republikën e Kosovës, në Banjskë, dhe dihet çfarë ndodhi, ka qenë akt terrorist”, u shpreh ai.

Berisha tha se në sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ka pasur përfshirje direkte të Serbisë.

Ai po ashtu deklaroi se disa persona në Serbi kanë për qëllim të nxisin konflikte, duke kryer kështu porositë e Rusisë.

“Kanë qenë të përfshira forca ushtarake, policore të shtetit të Serbisë. Nuk janë risi, mund të ketë prapë sulme, në Serbi ka grupe sidomos njerëz veteran të shumë luftërave që kanë ndodhur në Ballkan, shumë kriminelë që nuk janë dënuar, e që mezi presin të krijojnë situata. Pjesa ka Serbia janë njerëz që janë të interesuar për luftë dhe për të kryer porositë e Rusisë në Ballkan, dm.th me hap konflikte të reja. Pra, do të thotë ka bazë, ka materie, edhe ka njerëz që mund të eskalojnë dhe do të provojnë çdo herë për me eskalu situatën dhe me hap vatra të reja të luftë”, theksoi ai.

Berisha në intervistë foli edhe për vizitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Kosovë, ndërsa theksoi se në Kosovë duhet shtuar trupat e NATO-s.

“Trupat do të shtohen. Serbët kanë hequr dorë nga integrimi në institucione të Kosovës, veriu është bërë problem i sigurisë, është aspiratë e serbëve që shteti i Kosovës të mos ketë dorë atje, por të jetë KFOR, dhe të krijohet problem mes tyre, pra të krijohet edhe një palë”.

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha thotë se ndikimi rus në Kosovë dhe Ballkan është real.

Ai në intervistë komentoi edhe deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky , i cili para disa ditësh ka bërë thirrje që t’i kushtohet më shumë vëmendje Gadishullit Ballkanik, pasi Rusia, po bën plane për nxitjen e konflikteve të reja.

“Me luftën në lindje mes Izraelit dhe Palestinës është hequr vëmendja nga Ukraina. Kur Ukraina është liruar nga potenciali bërthamor, bashkësia ndërkombëtare ka marrë garancinë se Rusia nuk do ta sulmojë, dhe tash Ukraina është shkatërruar komplet, ndihmat nuk kanë qenë ashtu siç është dashtë të bëhen.

Me ndezjen e vatrave të reja, tashmë vëmendja ka shkuar, ndërsa ky frikësohet se nëse ndizet edhe një vatër e re, Ukraina do të mbetet në mëshirën e Rusisë, dhe dihet çfarë mëshire ka Rusia ndaj atij populli”.

Berisha gjithashtu ka pasur edhe disa kritika për Qeverinë Kurti, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar për shkak të veprimeve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *