Gjykata Supreme e ka liruar nga paraburgimi avokatin Hamdi Jashari i cili dyshohet se pranoi 8 mijë euro për të ushtruar ndikim tek gjyqtarët.
Në vendimin e Gjykatës Supreme të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se kolegji i gjyqtarëve në krye me gjyqtaren Valdete Daka kanë marrë vendim për ndryshimin e aktvendimeve të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë.
“Me pranimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtëseve të të pandehurit Hamdi Jashari, ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Renda, PPKRK.nr.143/2023 të datës 7.9.2023 dhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës PN.1.nr.975/2023 të datës 15.09.2023, ashtu që i pandehurit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në këtë vendim.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 7 shtatorit 2023, Jasharit ia kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 424, par.1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Në procedurë ankimore, Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 15 shtator 2023 i ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurit duke vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.
Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kanë ushtruar dy avokatët mbrojtës të Jasharit, avokatët Florim Jashari dhe Shëmsedin Pira për shkak të shkeljeve të procedurës penale. Avokatët mbrojtës të Jasharit kanë propozuar që aktvendimet të ndryshohen dhe të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit ose ndaj tij të caktohet ndonjë masë alternative.
Në vendim thuhet Prokurori i Shtetit me parashtresën KMLP.III.nr.213/2023 e datës 4.10.2023 dhe 8.10.2023, ka propozuar që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të refuzohen si të pabazuara.
Por, Supremja pasi ka shqyrtuar shkresat e kësaj çështjeje juridiko-penale dhe pas vlerësimit të pretendimeve gjeti se kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë janë të bazuara.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimet nga kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë janë të bazuara, ngase pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe kërkesave të mbrojtësve të të pandehurit, kjo gjykatë vlerësoi se aktvendimet e kundërshtuara duhen ndryshuar dhe i pandehuri duhet liruar nga masa e paraburgimit, për arsye se këto aktvendime janë të paqëndrueshme, për çka me të drejtë tërheqin vërejtjen mbrojtësit në kërkesat e tyre”, thuhet në vendim.
Supremja vlerëson se gjykatat e dy instacave më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm përkitazi me bazat e paraburgimit.
Ndryshe, më 8 qershor 2023, avokati Jashari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit ishte ndaluar fillimisht për 48 orë.