“U sulmuam nga 5 drejtime”, “E rrëzuam dronin”| Rrëfimet e policëve që ishin pjesë e aksionit kundër terroristëve në Banjskë

Kur po bëhet një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, detaje të reja po vazhdojnë të dalin në pah. Pamje të reja janë publikuar, e rrëfimet e tyre i kanë dhënë edhe dy nga policët që ishin pjesë e aksionit.

Kur ekipi i parë i Njësisë Speciale arriti në Banjskë në orët e para të mëngjesit më 24 shtator, ata u ballafaquan me sulme nga 4 deri në 5 drejtime të ndryshme. U sulmuan me armë, mortaja e minahedhës.

Kështu e fillon rrëfimin e tij për “Gjurmë Shqiptare” në Top Channel, polici 1 që ishte pjesë e ekipit të parë të specialëve që shkoi në Banjskë. Normalisht, pa iu zbuluar identiteti, ai tregon se si ishin minutat e parë të ballafaqimit me pjesëtarët e grupit terrorist.

“Fillimisht nuk kemi pasur informata se për çka bëhet fjalë, për çfarë grupi. Është supozuar se mund të jetë grup kriminal apo kontrabandist, por nuk e kemi ditur saktë me çka kemi të bëjmë. Kur kemi mbërri te pjesa poshtë në hyrje të fshatit na kanë sulmuar prej disa drejtimeve 4-5 drejtime të ndryshme me armë e predha të ndryshme, mortaja, minahedhës. Iu kemi përgjigj me aq sa kemi mujt, por veturat kanë filluar me u dëmtu edhe pse ishin të blindume”, tregon pjesëtari i Policisë së Kosovës.

Pas sulmit të ashpër, ai ka treguar se vendosën të presin derisa të zbardhet dita, afërsisht 1 orë pritje. Megjithatë, në asnjë moment gjuajtjet me armë zjarri nuk u ndalën.

“Me sa kemi vërejtur ishin 4-5 ose pika të ndryshme prej të cilave vinte drejtimi, ka qenë natë dhe krejt që kemi parë ka qenë zjarri dhe vatrat e zjarrit, drejtimet prej nga kanë ardhur. Kemi vendosur me bo një pikë të grumbullimit ku kemi qenë, dhe kemi pritur derisa ka zbardhur dita rreth 1 orë 1 orë e gjysmë”

“Vazhdimisht ka pasur shkëmbime, ata e dinin ku jemi ne, por normalisht u kamuflum, i fshehëm veturat i ndalëm dritat, ato gjërat që i bëjnë të gjitha njësitë Speciale. Kanë gjuajtur, mirëpo saktësisht nuk e kanë ditur ku jemi. Kur ka zbardhur dita në bazë të informatave, mandej edhe droni në ajër, e kemi pa saktë me çka kemi të bëjmë. Aty e kemi kuptuar se kemi të bëjmë me grup terrorist”, deklaron ky pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Pasi zbardhi dita, Policia me pamjet nga droni e kuptoi se pjesëtarët e grupit ishin të stërvitur e të armatosur.

“Ajo që dihej është se kishin armatim të rëndë, ishin pozitë më të favorshme, kishin marrë pikat e nalta, kishin mjete të blinduara, kishin anti-tank, kishin të gjitha mjetet. Në bazë të lëvizjeve, bazë mbajtjes së armës, bazë pajisjeve që kishin veshur, koordinimit të tyre, vërehej që nuk është grup i thjeshtë, janë mirë të organizuar dhe trajnuar”, ka treguar ky pjesëtar i Policisë për Top Channel.

Pak minuta më pas, në Banjskë arritën ekipet tjera të Njësive Speciale të Policisë. Një pjesëtar që ishte drejtues i këtij grupi ka treguar se si u sulmuan posa arritën në vendin e ngjarjes.

“Momentin që jemi afruar në afërsi të fshatit kanë filluar shkëmbimi i zjarrit, kanë filluar me gjuajt me minahedhës e me zollë në drejtim tonin. Ka pasur gjuajte nga snajperi dhe mitrolezi. Atëherë na është dashur me zënë një pozitë, me u riroganizu ekipin tjetër që ish mbet në pjesën tjetër, është dashtë me i vendos snajperistët në pikë dhe është dashtë me fillu sulmin për neutralizimin e këtij grupi terrorist”, deklaroi ky pjesëtar i policisë.

Aksionin e Policisë e ka bërë shumë më të vështirë fakti që terroristët ishin të shpërndarë, dhe kishin një pozicion shumë më të përshtatshëm për sulm.

“Nuk ishin të izoluar vetëm rreth kishës, por ishin të shpërndarë rreth gjithë fshatit. Ka qenë e pamundur me ditë numrin e saktë por në bazë të incizimeve që kemi kapur, kemi parë numër rreth 50-60 veta, gjasat janë se kanë qenë mbi 100 vetë”, deklaroi ai më tutje.

“Numri i tyre ishte më i madh se i joni, ata ishin të vendosur në pozicione ku mundeshin me na dëmtu gjithë kohën pa u kyqyr civilë, ose dëmtuar civilë. Ne është dashur me selektu çdo cak, çdo lëvizje të tyre. Është dashtë me pas kujdes në çdo objekt civilë mos me u dëmtu gjatë kësaj kohe”, tha ky pjesëtar i Policisë.

Gjatë rrëfimit, polici ka treguar si e rrëzuan dronin grupit terrorist.

“Ishin të pajisur, kishin radio-lidhje, kishin dronë. Pas një kohe të shkrutër e rrëzuam dronin e tyre dhe e ata e hupën shikimin mbi pozita tona”, tha ai.

“Ata ndoshta kishin vetbesim të tepruar dhe droni arriti me i kap ata, dhe në një moment e kemi kapur udhëheqësin e tyre në atë pjesën që ne i themi shtëpia L”

Por, çka e vështirësoi planin e Policisë për rrethimin e hapësirës?

“Qysh po shihet lartësia mbidetare, hapësira kodrinore, ka qenë e pamundur me u bo rrethimi i gjithë hapësirës, përmes dronit e keni parë vetëm pjesën e manastirit, por ata kanë qenë të shpërndarë në krejt këtë hapësirë këtu. Dhe për me pas nën kontroll krejt këtë hapësirë, është dashur të kemi forca shuma të mëdha”, deklaron ky polic.

“E gjitha ka zgjatur rreth 12 orë deri në përfundim të operacionit, derisa është futur i gjithë fshati nën kontroll, është siguru që asnjë nga terroristët nuk gjendet në fshat, janë identifiku trupat e pajetë të terroristëve të vrarë, jemi shku shtëpi mbi shtëpi me kontrollu nëse fshihet ndonjë terrorist ose ka të lënduar”, përfundoi ai.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e Policisë që ishin pjesë e aksionit kundër terroristëve në Bajskë, tregojnë detaje për gjithë ngjarjen.
Në këtë sulm terrorist mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *