Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se drafti për Asociacionin i prezantuar nga ndërkombëtarët nuk ofron asnjë autonomi për komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se nuk do ta lejojnë që Asociacioni të ketë pushtet ekzekutiv.
“Nuk ka asnjë autonomi, nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, është shprehur Haxhiu.
Haxhiu tutje ka bërë të ditur se për propozimin evropiano-amerikan për Asociacionin janë njoftuar “në vija të trasha” nga kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ministrja është shprehur se po të varej nga Kurti teksti i draftit do të ishte bërë publik qysh dje.
“Kurti është partner serioz që i trajton me respekt dhe konsideratë kërkesat e ndërmjetësve… Sa për kryeministrin Kurti teksti mund të ishte publik që dje, por kjo nuk mund të ndodhë dhe për këtë arsyet i ka dhënë kryeministri Kurti. Ai ka qenë për aq sa ka qenë e mundur transparent sa i përket draftstautit edhe në Kuvendin e Kosovës, sepse ju e dini që ka kërkesë që drafit të mos bëhet publik”, është shprehur Haxhiu.