Flet vëllai i Leotrimit: E mora vesh në mbrëmje, s’kam mundur ta gjej të gjallë – ishte fëmijë i urtë

E premte, 11 qershor 1998. Shtëpia e familjes Ahmeti në Rezallë të Skënderajt sulmohet me granata nga forcat serbe. Nga sulmi mbetet i vrarë djali i vogël i familjes, Leotrimi shtatëvjeçar.

Ajo ditë do të mbetet përherë në kujtimet e vëllait të madh të Leotrimit, Bahriut. Në ato momente, ai nuk kishte qenë në shtëpi pasi që ishte i angazhuar si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E kam marrë vesh në mbrëmje. Fatkeqësisht s’kam mundur ta gjej të gjallë. Kur kam mbërritur unë, ai veçse kishte vdekur”, thotë Bahriu për Radion Evropa e Lirë, që në atë kohë ishte 26-vjeç.

Si vëlla i madh i Leotrimit, ai ka shumë kujtime të ëmbla me të.

“Leotrimi ka qenë një djalë shumë i urtë, një fëmijë shumë i dashur për secilin. Kush e ka takuar Leotrimin, edhe nëse nuk e ka njohur, e ka dashur. Sepse ashtu ka qenë i krijuar… Zoti e kishte bërë për vete të tillë”, shton ai.

Me sytë drejt statujës së Leotrimit, tani të vendosur në sheshin kryesor të Skënderajt, Bahriu shprehet mirënjohës që tani ka mundësi ta shohë sërish figurën e Leotrimit, edhe pse këtë herë në bronz.

“Nga sot, në mesin tonë, e kemi edhe Leotrimin. S’kam menduar që del një skulptor që mund ta sjellë Leotrimin kaq të vërtetë. Në çdo gjë i ngjason atij”, përfundon ai.

Për skulptorin e kësaj shtatoreje, Sabri Behramajn, puna tremujore për këtë vepër ka qenë sfiduese për shkak të historisë që bart më vete shtatorja.

“Figura e Leotrimit më ka dhuruar emocione të papërsëritshme sepse vazhdimisht e kam ndier dhimbjen dhe historinë e Leotrimit. Ka qenë i vështirë i gjithë procesi i realizimit”, thotë Behramaj për Radion Evropa e Lirë.

Behramaj ia kishte vendosur vetes qëllim ta realizojë këtë shtatore sapo kishte dëgjuar rrëfimin e nënës së Leotrimit, Shukries, për vrasjen e djalit të saj.

Nga rrëfimi i nënës së tij, Leotrimi, pasi është plagosur, i ka thënë se ka diçka në bark, që është “i sëmurë
nga barku”. Pas disa orëve, ai ka vdekur.

Nëna e Leotrimit ishte e pranishme edhe më 18 qershor, në përurimin e shtatores së Leotrimit në Skënderaj, dhe ndiqte dhjetëra fëmijë teksa linin karafila të bardhë e të kuq pranë shtatores.

Ceremoninë e përurimit të shtatores e ndoqën qindra persona në Skënderaj. Në mesin e tyre ishte edhe Rushit Jeta nga komuna e Skënderajt, i cili emocionohej gjatë ceremonisë, megjithëse historinë e Leotrimit e dinte edhe më parë.

Jeta, i cili gjatë luftës ishte vetëm 16 vjeç, ka dëgjuar edhe për shumë fëmijë të tjerë me histori të ngjashme si Leotrimi.

“Është një histori që është e trishtë për ta dëgjuar, por është e rëndësishme për ta dëgjuar… për ta kuptuar se nga ku erdhi rrugëtimi ynë dhe sa e shtrenjtë ka qenë liria për ne”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *