Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Shkelzen Ahmetit, për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’’.
Gazeta Neutral, raporton se Shkelzeni është i biri i ish- kryeshefit të “KRU” Gjakova, Ismet Ahmetit.
Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, i pandehuri J.M., akuzohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë në tentativë”.
Kujtojmë se mbrëmjen e 9 marsit të këtij viti, Gazeta Neutral ka raportuar ekskluzivisht për tentim vrasjen në një lokal në qytetin e Gjakovës, ku mbetën të plagosur tre persona.
Si nisi konflikti?
Gazeta Neutral kishte mësuar nga burimet e veta se konflikti kishte nisur pasi në lokalin “Republika” në Gjakovë po mbahej një ndejë, në të cilën do të duhej të bëhej rezervim paraprak për të qenë të pranishëm.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se Shkelzeni kishte arritur në lokal rreth orës 00:00, por kishte kuptuar se nuk e kishte më tavolinën të cilën e kishte rezervuar. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Ahmeti ishte revoltuar me Stubllën duke ju drejtuar “Pse s’ma ki rujt venin?”.
Po i njëjti burim, bën të ditur për Neutralin se në atë moment ka nisur konflikti verbal i cili më pas ka eskluar deri në plagosjen e Stubllës me armë zjarri.
Afër të dyshuarit dhe viktimës, gjendej edhe një person i tretë i cili ka marrë lëndime të lehta trupore.
Ndryshe, rastin për Gazetën Neutral e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.
Elezaj ka thënë se i dyshuari për aktin është në kërkim.
“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Elezaj.