Në shumicën e rasteve të dhunës në familje në Kosovë, viktima janë kryesisht gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Shumë prej tyre nuk i denoncojnë burrat në momentin kur përjetojnë dhunën për shkak të frikës. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi edhe në fshatin Bardh i Madh në Fushë Kosovë.
Sinjali mëson se një 52-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore duke e goditur me grushte, por edhe shqetësim e frikë të madhe.
Ky rast i rëndë ka ndodhur para syve të fëmijëve, të cilët kanë arritur t’i dalin në mbrojtje nënës, duke ndërhyrë që ta ndalojnë babanë e tyre, i cili deshi ta sulmojë atë edhe me sëpatë.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku intervenoi Policia, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor nën dyshimin për veprën penale “Dhunë në familje” dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme.