Rreth 24 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shtëpia e familjes së Arben Gashit në fshatin Landovicë vazhdon t’i ruajë gjurmët e krimit të forcave serbe.
Më 26 mars të vitit 1999, kur ato sulmuan këtë fshat të komunës së Prizrenit, një nga caqet ishte shtëpia e familjes Gashi, ku ishin strehuar edhe dy familje të tjera, Morina dhe Qerreti.
Arbeni, që asokohe ishte 16 vjeç, duke folur për Radion Evropa e Lirë, rikujton ngjarjen që i ka mbijetuar.
“Nga asfalti, në rrugën Prizren-Gjakovë, na kanë bombarduar. Ka mbetur e vrarë Njomëza Morina, 14-vjeçare. Në momentin që është vrarë Njomëza, ne kemi dalë nga shtëpia që të afrohemi dhe të hyjmë në pyll. Në momentin që kemi dalë nga shtëpia, na kanë bombarduar me të gjithë artilerinë që e kanë pasur dhe kanë mbetur të vrarë edhe 13 të tjerë dhe të plagosur 12”, rrëfen Arbeni.
Arben Gashi i mbijetoi sulmit të forcave serbe në shtëpinë e tij në Landovicë gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë nën një vjeç dhe të moshuar mbi 70 vjeç.
Arbeni thotë se trupat e pajetë janë marrë nga forcat serbe dhe se 12 prej tyre janë gjetur në një varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit, në vitin 2004.
Njomëza Morina dhe Nazmie Qerreti, të vrara në këtë sulm, vazhdojnë të jenë të zhdukura, ashtu si edhe mbi 1.600 persona të tjerë nga lufta e viteve 1998-1999.
Për këtë rast, Fondi për të Drejtën Humanitare ka ngritur kallëzim penal në dhjetor të vitit 2013 kundër disa personave, me dyshimin se kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile. Por, sipas Bekim Blakajt nga ky fond, prokuroria në Serbi nuk ka ngritur ndonjë padi.
Shtëpia nuk u vizitua nga institucionet
Vrimat në muret e shtëpisë së familjes Gashi, të shkaktuara nga predhat e tankeve dhe municionet e kalibrit të rëndë, nuk janë mbyllur asnjëherë. E shembur nga predhat është edhe një pjesë e çatisë së shtëpisë.
Arbeni thotë se shtëpia është ruajtur ashtu, për të mos u zhdukur provat.
Por, sipas tij, askush nga institucionet e shtetit – as të nivelit lokal, as të nivelit qendror – nuk i ka evidentuar ato prova. Madje, askush nuk e ka vizituar fare shtëpinë, sipas tij.
“Shtëpia ka mbetur sot e atë ditë. Nuk kemi marrë asnjë veprim ne, si familjarë, as për shkatërrimin e saj… që ta ruajmë për shtetin, që të shihet se çka ka ndodhur këtu. Por, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asgjë”, thotë Arbeni.