Tri vaksina të reja për fëmijë të moshës së hershme bëhen të obliguara

Qendra e Mjekësisë Familjarë në Prishtinë që nga tetori i këtij vit është furnizuar me tri vaksina të reja të cilat janë dedikuar për fëmijët në moshat e hershme me të cilat lista kalendarike e vaksinave në Kosovë, bëhet e ngjashme me kalendarin e vaksinave evropiane dhe amerikane.

Doktoresha e vaksinave për fëmijë, Florina Grezda tha se këto vaksina kanë qenë të nevojshme dhe që nga hyrja në proces, janë të obligueshme për secilin fëmijë.

Doktoresha Grezda në një intervistë për KosovaPress, tregon se çfarë rëndësie kanë këto vaksina për infeksione të ndryshme.

“Tri vaksinat e reja kanë hyrë në proces të rregullt ose në programin e rregullt të vaksinimit prej datës 2 tetor 2023. Ndër këto vaksina, janë vaksina që mbrojnë tri sëmundje të rëndësishme, të cilat deri më tani nuk i kemi pasur në plan program por që kanë qenë në shtetet në perëndim, do të thotë kemi dëgjuar për këto vaksina po nuk i kemi pasur. Prej këtyre vaksinave e para është “Rotavirusi”, vaksina kundër rotavirusi që quhet rotariks është një virus që prek foshnjat e porsalindura në një vjet, sistemin e tretjes dhe mundet me shkaktuar edhe vjellje dhe barkqitje të cilat munden dhe me qenë shumë të rënda dhe me rreziku jetën e fëmijës. Sëmundja e dyta është “Pneumokoku”, vaksina kundër pneumokokut, bakterie e cila shkakton kallje të mushkërive, mirëpo njëherit mundet me mbrojt edhe nga inflamacionet cipave të trurit që e njëjta baktere mundet me prek edhe cipat e trurit ose meningjit, dhe vaksina e tretë është vaksina kundër “Humanpapilloma virusit”, është një virus i cili atakon d.m.th. moshat e adoleshencës, të cilat d.m.th në marrëdhënie të hershme seksuale dhe që është sëmundje e cila bartet me kontakt seksual dhe është sëmundje që e dëmton shëndetin gjinisë femërorë”, tha Grezda.

Doktoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare tha se njëra nga vaksinat ka një limit kohor se kur duhet të merret, ndërsa për dy vaksinat tjera tha se mund të merren deri në moshën 12 vjeçare për vajzat.

Doktoresha Grezda u shpreh se si shëndetësi në Kosovë po i afrohen programeve evropiane, derisa bëri thirrje për prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre të porsalindur për t’i marrë vaksinat. /KosovaPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *