Prishtina u trondit të martën nga dy incidente që ndodhën në orët e pasdites dhe në mbrëmje, e që përfunduan tragjikisht me vrasje. Nga konflikti ku u përfshinë dy grupe, mbetën të vdekur dy persona. Katër personat që po dyshohen për plagosje dhe vrasje, të cilët ndodhen në arrati tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.
Fitim Doda dhe Arijan Sijarina dyshohen për tentim vrasjen në lagjen Kolovicë, në orët e pasdites, ndërsa vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha po kërkohen për vrasjen e rëndë, që ndodhi në mbrëmje.
Edhe pse po hetohen si dy raste, motivi dyshohet se lidhet me konfliktin pas plagosjes së Naim Berishës, viktimë e rastit të parë dhe i dyshuar për rastin e dytë.
Pas incidentit që ndodhi në pikë të ditës, ku pati të shtëna me kallashnikov, banorët e lagjes “Kolovica” u trazuan edhe në mbrëmje, kur u dëgjuan sërish gjuajtje me armë.
Dy vëllezërit Berisha dyshohet se i kanë dalë në pritë të dyshuarit Fitim Doda për t’iu hakmarrë për plagosjen në mesditë.
Në momentin kur ka ndodhur sulmi, bashkë me Dodën në veturë kanë qenë edhe disa persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe viktima Egzon Haziri, i cili vdiq në vendin e ngjarjes.
Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnie Gashi, 48-vjeçare, e cila u dërgua me urgjencë mbrëmë në QKUK, mirëpo s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë sot në spital.
Lajmin për vdekjen e saj ka konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy të rinjtë, Lum Halimaj dhe Bilall Kqiku, pasi të njëjtit ishin në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi vrasja.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë jashtë rrezikut për jetë.