Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që i është prezantuar Qeverisë së Kosovës nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, “nuk është i mirë sa do të doja”, por sipas Kurtit “është më i mirë se i vitit 2013 dhe 2015”, derisa ka shtuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është “pishman” që u dakordua gojarisht për marrëveshjet e Brukselit/Ohrit, prandaj sipas tij, presidenti serb ka hezituar ta nënshkruajë këtë darkordancë më 26 tetor në Bruksel.
Përkundër kritikave për draft-statutin për Asociacionin që na u prezantua, që është shumë më i mirë se ai i vitit 2013 dhe 2015, por jo aq i mirë sa do të doja, thashë në rregull po e nënshkruajmë sot Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit dhe këtë draft si një pako, i kërkova presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministres italiane, statusin e kandidatit dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Vuçiq tha se nuk mund të nënshkruajë në një letër me Kurtin, donte nënshkrim të dy dokumenteve të ndara”, ka treguar Kurti duke diskutuar në Institutin “Karl Renner” në Vjenë të Austrisë.
Ai ka shtuar tutje se përkundër refuzimit tradicional për të nënshkruar marrëveshjen, Vuçiq kërkoi të ketë një letër anësore që do t’i dërgohej ndërmjetësve.
“Aty thuhej se Serbia s’do ta njohë kurrë Kosovën dhe s’do të ketë ulëse OKB për Kosovën, sikur kjo varet nga Serbia dhe e treta s’ka respektim të integritetit territorial. Kjo më brengos, është shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes Bazë. Miqtë evropianë që kanë ndërmjetësuar e janë gjyqtarë, kur ka shkelje të marrëveshjes ata duhet të fishkëllejnë”, potencoi Kurti.